>
LETERSISHQIP

Kënga E Çames

Siç ma kishte ënda, bëra asaj ane
Renda për ty renda, moj e bukur çame
Lule t’ergjënda feksur mbi tumane
Ç’ëndërr fshihet brenda, mos e thuaj xhane

Mos e thuaj xhane, ç’ëndërr brenda fshihet
Dy a tre nishane, si drita mbi hijet
Një raki prej thane, pi e nuk me pihet
Një tingull kambane, tutje seç po ndihet

Me dy a tri nota, ajo diç më thotë
"Sa hire fsheh bota, djal-o, s’i sheh dot
Sa hëna të plota, gjysma duken sot
Sa fjalë të kota, thënkemi për plot"

Me shtatin e gjatë, si selvi Janine
Me gjinj të begatë, sumbulla rubine
Njomet buz’e thatë, njomet mbi burime
Që rrjedhin nga lartë, pikëz e thërrime

Ç’zemërdashuruar, nuk deshi të lozi
Moj gushëzpraruar, porsi abanozi
Moj buzëmbëlsuar, si mjaltë Ambrozi
Syri yt i shkruar, ç’më treti, ç’më sosi

KENGA E ÇAMES…(variant i permbysur)

Bëra asaj ane, siç ma kishte ënda
Moj e bukur çame, renda për ty renda
Feksur mbi tumane, lule t’ergjënda
Mos e thuaj xhane, ç’ëndërr fshihet brenda, !

Ç’ëndërr brenda fshihet, mos e thuaj xhane
Si drita mbi hijet, dy a tre nishane
Pi e nuk me pihet, një raki prej thane
Tutje seç po ndihet, një tingull kambane

Ajo diç më thotë, me dy a tri nota
“Djal-o, s’i sheh dot, sa hire fsheh bota
Gjysma duken sot, sa hëna të plota
Thënkemi për plot, sa fjalë të kota”

Si Selvi Janine, me shtatin e gjatë
Sumbulla rubine, me gjinj të begatë
Njomet mbi burime, njomet buz’e thatë
Pikëz e thërrime, që rrjedhin nga lartë

Nuk deshi të lozi, ç’zemërdashuruar
Porsi abanozi, moj gushëzpraruar
Si mjaltë–ambrozi, moj buzëmbëlsuar
Ç’më treti, ç’më sosi, syri yt i shkruar