>
LETERSISHQIP

Kënga E Virgjëreshës

Ti në udhë të gjërë, unë në rrugë të ngushtë
Dy faqet e kuqe, si molla në Gusht
Sumbullat e gjirit, si rubin i prushtë
Njëra, rridhka mjaltë, tjetra, pikon musht

Njëra, pikon musht, tjetra, rridhka mjaltë
Ashtu si burimi, rrjedh nga mali lartë
Siç pikojnë dritën, yjet e kristaltë
Mos i lërë të rrjedhin, moj Zoti t’i faltë!

Mos i lërë të rrjedhin, moj ti faltë Zoti
Ashtu prej vetiu, ashtu për së koti
Sa shpirtra të djegur, do nxirrje nga moti
Sa zemra do nxehje, mardhur nga i ftohti!

Mardhur nga i ftohti, sa shpirtra do nxehje!
Pastaj, do t’i shkrije, pastaj, do t’i dehje
Ata si të marrë do rendnin pas teje
Paqe jo, s'do gjejnë, jo s'do gjejnë prehje.