>
LETERSISHQIP

Lirikë Shiu

Binte shiu binte, ah një shi me gjyma
Të gjithë vraponin shtëpi më shtëpi
Ashtu përmbi taka, sa s'i merrej fryma
Nën umbrellën time hyri një perri

“Një perri " ju thashë, e ç'tu them më tutje
Nga çudia mekur, fola "ç'qe ky fat!"
Zëri' saj i brishtë, tringëllin një lutje
"Nën umbrellën tënde, a të qëndroj pak?!"

Në çast sa s'bërtita "të rrish sa të duash!"
A thua nën çadër, vetë parajsa ish
Desha që të flisja, po kur s'ke ç'të thuash
Me fjalën e tepërt, ke frikë se; e prish

Ç'i përplas mbi mua, të dy syt' e zinj
Sikur të më thoshte "po shkoj tjetër kund."
Një parfum i ëmbël që çmendej mbi gjinj
Më grishte të tërin, ta pija me fund.

Bekuar ky shi, mos pushoftë kurrë
Që më solli pranë, të tillë krijesë!
Jo asgjë më shumë, s'dashuron një burrë
Se gruan që vjen e dot s'mund të presë.

Tik-taku i shiut mbi çadër i ngutur
La vendin dhe nisi një tjetër tik-tak
Mbi takat e larta, një zonjëz e bukur
Largohej pa ditur se zgjoi një merak.

Një mall që flladiste, magjishëm mbi zemër
Si frymëz e lehtë, me shiun u çmend
Kjo hënëz e fatit, stolisur si femër
Nën hark të ylberit, la pezull një peng.