>
LETERSISHQIP

Tango

Më fale dy kërcinj të hollë si shkopinj
Një tango plot ritëm mësova për ty
Horizonte t'argjenda më hape pa kufij
Ndërsa unë lakmoja dy sy.

Më pritën dy krahë të brishtë, të gjatë
Afrova dy supe të fortë si shkëmbinj
Më lidhe rreth qafës dhjetë gishta hollakë
Nuk di se ç’të dhashë për çmim.

Më çele një rrugë si kurthi të ngushtë
E unë të dhurova një shteg
T’u ngrohje një natë të shkrepa pak prush
Më fale një zjarr që më djeg.

Dy këmbë të dhashë të rendje si erë
E ti më mësove një vrap,
Me grushtin e fortë të hapa një derë
Për çudi më shfaqe një prag

Më zgjoi një çast që tringëlliu si qindarkë
Të zgjoi një kambanë që kumbon
Një det unë të fala, më fale një varkë
Pa vela, që s’di ku më çon.