>
LETERSISHQIP

Kushtrim Lirik

Zërin tënd, që për së largu, bëj ta ndjej e dot s'e gjej
Ah moj fjalë dashurie, na harrove për nga mot
T'adhurojmë o yll mëngjesi, të pranojmë si një Zot
Teksa fati rrokulliset e rropatet gjithandej

Eja veç na tund e shkund, si stuhia ndaç dhe fryj
Merrna sot ashtu rrëmbyer, përnjëmend na zgjo të tërë
Lidhna fill me fije malli, Toka jonë të na nxërë
E ta ndritim e përndritim, mëmën tonë si t'ishim yj!

Mos na lerë, mos na lerë, si jetimë me nënën gjallë!
Duke rendur të ngarkuar, s'di për ku e s'di se si
Të mos shihemi kaq vëngër, bëna bashkë dashuri
Të një gjaku jemi bij, geni, seç na ndrin në ballë

Rrug' e moçme s'mund të mbyllet, nga një pirg me plehra plot
Është lumë përjetësie, shtratit do t'i shkojë në vend
Të mos ngjajmë si gurë zalli, të shpërndarë anekënd
Frymët tona bërë bashkë, janë shpirt i tonit Zot