>
LETERSISHQIP

Kënga E Mjekes

Ç’borxh i pati fshati, vallë atij qyteti
Ç’të mirë i kish bërë, që të mirë s’gjeti
Mori për dhuratë, shtatë ballë tërmeti
Një zanë prej mali, një sirenë deti

S’ish parë asaj ane, një e tillë femër
Gratë shihnin vëngër, si të ishe shemër
Doktoreshë të thonin, dhe pse kishe emër
Bridhte stetoskopi, o zemër më zemër

Moj ç’e bëre fshanë, të ndihej sëmurë
Gjysma myslimanë dhe gjysma kaurë
Seç u dogjën pleqtë, me temperaturë
Të gjorët kërkonin, t’u bëje një kurë

Nga hiret që mbaje, djemtë seç i çmënde
Netëve mes fshatit, mbaheshin kuvende
Kur bënin be burrat, zinin kokën tënde
Gratë fillikate, flinin nëpër kënde.

Ç’ishte më e keqja, nuk po bëhej punë
As çoban’ i fshatit, s’vishej më me gunë
Nuset turfullonin, shfrynin si furtunë
Nëmnin e mallkonin, ata që të prunë.