>
LETERSISHQIP

Divani Dhe Haremi (Kënga E Dytë)

Tutje mbi majat e larta, maleve të Pindit
Puthen ret’ e qelibarta, porsi tyl’ i Hindit
Rrezet zbresin edhe treten, fushave të gjëra
Pashait merak i mbeten; si t’i ketë të tëra?!

Si t’i ketë të gjitha lulet, prillet, si t’i ketë?!
Gjithë Bota t’i përkulet, tokë, qiell e det
T’i sodisë, ashtu të plota, me shpirt të panginjur
Prej lakmisë tundet koka, dridhet mjekër e thinjur

Ndërsa mendja merr sarajet, tutje, si e çmendur
E ngarkuar nga gjynahet e prap s’ësht’ e trembur
Le të digjet, le të shkrihet, në zjarre Xhehnemi
“Po si vallë mund të lihet, një hurma Jemeni?!”

Vjen zeshkania dhe përkulet, ja Pashai zbutet
Me aromë e dehin lulet, e dalldisin frutet
Duart zgjat, i heq stolitë, që me naze tunden
S’ka Divan mos bëhet dritë, kur dashnorët munden

Porsi flaka ish e nxehtë, rreze shkretëtire
Si një pupël ish e lehtë, xhinde dhe qafire
“Allallah, ç’ka bërë Zoti, or i qofshim falë
Sa një ditë m’u kthye moti, më ngjan vetja djalë!”

Eunuku ndreq takijen, në vend vë qostekët
Pallën, që të rëndë ka hijen, gradat mbi jelekët
Kindat shtrin mbi fustanellë, xhepit vë sahatin
Nargjilenë teksa thith thellë, Plaku mendon fatin

Po mendon Burri për namin, ngritur mbi Janinë
Karshillëk, që tremb sulltanin, tund perandorinë
Pranë i vjen Vasiliqia, i largon mendimet
Kthehet prapë dashuria, puthje-përqafimet

Zoti, që dha kaq të mira, hyqëm dhe të tjera
I kërkon dy tre Xhamira, Kisha dhe Teqera
Dhe thesari i grumbulluar, më shumë marrka vlerë
Kur sovrani, vetë me duar, falka ndër të tjerë

Në kala, hapen sëndukët, n’ar, mbushen sinitë
Të ngarkuar eunukët, vijnë e sjellin dritë
Për sevap u derdh floriri, grabitur ndër vite
Grushtat plot i mbush Veziri, plot për plot mexhite

Prap’ Atij dorën bujare, prap’ ia ndal një femër
Sa e dashur, aq tinzare, kyçin vë në zemër
“Pa pushtet e pa thesare, lavdia të humbi
Kur harbuti të ketë pare, Imzot të vjen fundi”

Qesh Aliu me tërë xhanin, nga fjalët e rralla
Kur kuptoi, se gjithë namin e kishte nga palla
I çon gishtat maja-maja, lehtas e prek millin
“Se ç’qënka vetë dynjaja, femra ja di fillin”

Unjet mjekra e sedeftë, unjet të puthë pushin
Si dy fllade që fryjnë beftë, fryjn’ e ndezin prushin
“Edhe kulmi i pushtetit, që buron në zemër
Edhe shtegu i Xhenetit, qënka tek një femër.”