>
LETERSISHQIP

Ah Hiret E Tua

Ah moj këmb' e vashës, ardhur topolake
Domosdo s'je vetëm, shkon e vjen binjake
Mbi pulpët si shishe, larë me ajkë nape
Seç prahrohen kofshët, ngjyrë çokollate

Ah moj këmb' e çupës, me hiret që pate
Seç na ndrite udhën, zbathur ec e jake
Pa le kur u ngrite, përmbi maja take
Iku mëndje robit, o po shkoi e vate

Ky fustan' i shkurtër, pala-pala shkrehur
Nën cipë najloni, shih ç'na qënka fshehur
Syri që pa tinëz, ndali për tu prehur
Po kur s'gjeti paqe, iku larg i dehur

O bo bo i ziu, paqe kur nuk gjeti
Sapo erdhi mbrëmja, në shtrat ra e fjeti
Tek të shihte ëndërr, bëri gjumë mbreti
Në kopshte Edeni, peng i gjori mbeti

Ç'e derdhe magjinë, në kopshte Edeni
Moj zanë prej mali, moj nimfë liqeni!
Në vënde të tilla, veten mos gënjeni
Pini or miq pini, atë kupë që keni!