>
LETERSISHQIP

Një Piedestal Bosh

Sheshi ç’i thotë një piedestali:
“Të mbaj në mes, si të jesh mali!
A nuk më thua, ç’vlerë, zotrote
I servir kohës ti nëpër mote?!

Dikur mbi ty, kishte zënë vend
Një goxha kalë për monument”
Por në çast fjalën sheshi ç’e ndali
Se e ndërpret piedestali:

“Nga një tërmet që pati vendi
Vate, shkoi dhe monumenti
Shpejt i harrove, ditët me zhurma
Kur kafshët vinin, me turma-turma

Blegërinë ujqit, ulëritën dhentë
Dhe si më trimat lehën dhe qentë
Hungërinë dhitë, çakajet pallën
Me monumentin ata u tallën.

Dhe hoqën zvarrë të gjorin kalë
Dhe e coptuan si t’ishte gjallë.
I thanë simbolit: "Në djall të shkosh!"
Dhe qysh atëherë unë mbeta bosh

Kam frikë se brengat prapë s’do sosin,
Kushedi ç’mister do të vendosin?!
Dreqi merr vesh seç i ndodh botës
Këta vënë këmbët në vend të kokës

Edhe kur ndodh, të “pyesin” shumicën
Në vend të kokës vënë prapanicën?!
Pa ndër mitingje më kthejnë tribunë
Kur flasin, mëndjen e kanë tek unë

Dhe vrasin trurin, më pas krekosen
Si përmbi mua, shpejt të vendosen
Me ligj të turmës, brihen dhe hahen
Pakicë, shumicë, s’dihet ku ndahen

Pa kur ngatërrohen e tundin vendin,
Si uragani, prishin e shembin
Ju shfryn urrejtja, si llavë në deje
Ç’kuptim ka jeta, hajde dhe gjeje?!

Të rrëzojnë natën, të ndërtojnë ditën
E prapë s’besojnë n’atë që ngritën
Moto e tyre është rrukullimë
Duke përmbysur bëjnë historinë.

Kur ngordhi kali i ranë thonjtë
Kafshët e ngritën.përmbi heronjtë
Ashtu të ngordhur me ligje qanin
Dhe në legjendë ia kthyen namin.

As epitetet nuk t’i kursejnë,
Lart përmbi zotat me qejf të ngrejnë.
Të duartrokasin si sypatrembur
Sa thyen qafën, bëhen të çmendur

Shfryjn’ e kërcasin dhëmb’ e dhëmballë,
Pastaj të bluajnë kock’ e kokallë
Nga miell i bluajtur gatuajnë tjetrin
Pa bërë të riun shëmbin të vjetrin.

Vetë të ngrenë, po vetë të shembin
Në udhëkryqe rendin e rendin
Kur vdes besimi dhe shpresa s’gjendet
Janë të përkohshëm dhe monumentet.