>
LETERSISHQIP

Gezuar Festen Dardani!

Kurrë më të kuqe, se sot nuk të kam parë Dardani
Me dritë shpirtrash, që treten si qirinj
Mbi shandanë zemrash të ngritur gjer në qiell
E tej horizonteve të hapura të lirisë
Shpresa thërret
Thërret e buçet
"Qëndro Burrnesh!
Qëndro!"

Se gjiri yt, paska mëkuar legjenda ndër mote
Se gjaku yt, rinon e freskon çdo ëndërr
Se zëri yt, ka forcën e gjithë kambanareve të Botës
O bija e vogël e Globit të plakur
Ti je aq e vogël, sa një gradë gjenerali
Ti je aq e madhe, sa vetë pëllëmba e Zotit

Oh sinorët e tu, veç shënjtërohen nga plagët
Oh këmbët e tua, nuk janë më të kërthinjta
Ti rend e mëvetshme, me krahë të kaltër
Përshëndetur nga kohrat, me pëllëmbë të zhuritura
Me kore zërash ritmikë, si troku i kuajve të largët

Flamuri yt i kthjellët, bërë një me qiellin
I vetmi ai, që mund të valvitet me frymë heronjsh
I vetmi ai që çohet lart sapo ndjen tingujt e himnit
I vetmi ai, pret vargjet t'i shkruhen me dritën e Diellit
I vetmi ai, që shtërngohet nga duar dragojsh
I vetmi ai, që ende rrëqethet nga duhmat e dimrit

Jo Dardani! Ti nuk je me tokë, si gjithë dherat e tjerë
Tek poret e tua, nuk ndahen më thërmijat e baltës
Nga rruazat e gjakut, që rrjedh nëpër deje
Një të janë bërë plisat me plagët
Erërat e tua, nuk janë më, si gjithe erërat që vërtiten
Ato janë dihatja e shpirtrave, me sy të pa fjetun
Gjysëm të gjallë nën dhe përpëliten
Me buzë të mekun dhe kurm të pa tretun

Bëji të besojnë, se ke dalë në dritën e agut
Me lajmëtarët, që çove tej pragut.