>
BIOSHQIP

Zanfina: “Disa Faktorë Te Heqin Vullnetin Për Të Realizuar Një Album”

29-01-2014
Përkushtimi ndaj këngës ka bërë që Zanfina të mendojë për projektet e reja të cilat do t’i sjellë për adhuruesit e saj. Në fakt këngëtarja ka menduar për hitin e radhës që brenda kësaj periudhe do ta sjellë në treg. Meqë është në fillim të punës së kësaj kënge, Zanfina preferon të mbeten anonim bashkëpunëtorët me të cilët do ta realizojë këtë këngë. Këngëtarja na bën të ditur se kënga do të plasohet bashkë me videoklip, të përgatitur me ndonjë produksion vendor.

“Kam nisur punën për një këngë të re, e cila do të plasohet bashkë edhe me videoklip. Tani për tani bashkëpunëtorët e këngës dhe të klipit le të mbeten surprizë për adhuruesit e mi. Ajo që mund të them është se ky projekt do të jetë me shumë risi në paraqitjen time”, ka thënë ajo.

Videoprojekti i fundit i këngëtares ishte kënga “Ma ngat”, në bashkëpunim me Zzap & Chriss dhe me tekst të Robb Daddy. Kjo këngë e plasuar bashkë me klip është pëlqyer mjaftë shumë në publik dhe Zanfina uron që edhe në projektet e ardhshme të arrijë suksesin e merituar.

Gjatë këtij viti këngëtarja do të sjellë disa single bashkë me videoklipe, duke mos menduar tani për tani për album për faktin se puna e një albumi merr shumë kohë dhe mjaft shpenzime. Por edhe Zanfina si shumë kolegë të saj është e zhgënjyer me humbjen e vlerës së albumeve që dita ditës po humb edhe më shumë për shkak të piraterisë dhe mosfunksionimit të ligjit ashtu siç duhet.

“Dita ditës po humb vlera e një albumi, për faktin se kanë ndikuar disa faktorë që nuk të japin vullnet për të realizuar një album. Dhe në realitet puna e një albumi kërkon mjaft shumë investim”, shprehet në fund ajo.
(Zëri)

Zanfina: “Disa Faktorë Te Heqin Vullnetin Për Të Realizuar Një Album”