>
BIOSHQIP

Adrian Gaxha: Skena Shqiptare është E Mbushur Me Inate

24-03-2013
Kohët e fundit ka qenë një nga emrat më të përfolur të skenës shqiptare. Suksesi i tij vazhdon edhe këto ditë sa që men don ta vazhdojë edhe më tutje me projektet e reja artistike. Në këtë intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, këngëtari nga Shkupi Adrian Gaxha, tregon inatet që ekzistojnë në skenën shqiptare, bashkëpunimin me Florianin, si dhe projektet në pesë muajt në vazhdim. “Inate gjithmonë ka pasur dhe do të ketë dhe kjo nuk është e keqe, natyrisht kur ato janë pozitive, sepse inati të bën edhe më të fortë. Inatet duhet të shprehen me punë, por jo edhe me bllokime të këngëve dhe sharje”, – thekson Gaxha. Më poshtë në intervistë do të lexoni dhe mbi projektet që do ta ndjekin gjatë këtij viti.

Kënga “Ngjyra e kuqe” vazhdon të jetë një hit i padiskutueshëm. E kishit pritur këtë sukses?

Me vetë faktin se për këtë këngë kam punuar me gjithë zemër, më ka bërë të besoj se do të pëlqehet, por si thonë edhe të tjerët se kjo këngë të bëhet hit i madh, këtë nuk e kam pritur.

Ishte Floriani që e bëri këtë këngë të pëlqyer apo ju që realizuat një vijë melodie dhe tekst kaq të bukur?

Gjithçka ka ndikuar në këtë projekt sidomos Floriani, por prapëseprapë sikur kjo këngë mos të kishte pasur edhe muzikën e bukur, kot do të ishte, sepse muzika është themeli i këngës.

A ka inate brenda skenës shqiptare?

Inate gjithmonë ka pasur dhe do të ketë dhe kjo nuk është e keqe, natyrisht kur ato janë pozitive, sepse inati të bën edhe më të fortë. Inatet duhet të shprehen me punë, por jo edhe me bllokime të këngëve dhe sharje.

Për kë e keni fjalën?

Për të gjithë ata që janë munduar ta ndalojnë, që kënga të ketë suksesin që ka, por që nuk ia arritën.

Në këtë rast flet për akuzat që ka bërë Flor Mumajesi, mbi këngën tuaj “Ngjyrë e kuqe”?

Me siguri, ai atë ditë ishte zgjuar në krah të majtë apo nuk e di se çfarë kishte, megjithatë janë gjëra normale që ndodhin në estradë. Sidoqoftë, unë kam respekt për të dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

Me kë je mik dhe me kë nuk flet fare?

Mik jam gati me të gjithë, asnjëherë nuk kam lejuar që t’i prish raportet dhe punën me ndonjë koleg.

Njiheni si “merakli” ndaj femrave. Shpesh herë është thënë se keni pasur lidhje me këngëtare, modele, misse nga ato shqiptare, maqedonase e bullgare?

Merakli është fjalë me shumë kuptime. Për shembull, unë jam merakli për raporte të mira, kurse për lidhje kam pasur, por më shumë lidhje shoqërore me fytyrat publike.

Cilat janë projektet që do t’iu ndjekin gjatë këtij viti?

Kemi edhe dy projekte të përbashkëta me Florianin, të cilat do të lançohen brenda 5 muajve të ardhshëm. Janë dy këngë shumë të bukura, të cilat do të realizohen edhe me videoklipe dhe shpresojmë që të vazhdojnë ritmin e këngës “Ngjyra e kuqe”‘.
(Koha Tjetër)

Adrian Gaxha: Skena Shqiptare është E Mbushur Me Inate