>
BIOSHQIP

Diellza Kolgeci: “S'ka Zëvendësim Për Mua”

21-12-2013
Një nga femrat më të bukura dhe elegante të Kosovës, Diellza Kolgeci, nuk do të jetë prezantuese në edicionin e 52-të të Festivalit të madh në RTSH. Çdo gjë ndryshoi kur u emërua drejtori i ri dhe u ngushtua buxheti. Diellza në një intervistë për gazetën tonë rrëfen se pse e dha këtë dorëheqje dhe cila ishte marrëveshja e parë që ishte bërë me bukuroshen për ta moderuar këtë festival. Diellza, a mund ta dimë arsyen e dorëheqjes tënde nga prezantimi i festivalit në RTSH? Çfarë shkruhej në atë kontratë që ata nuk e zbatuan? Që para 10 ditësh kemi filluar të negociojmë rreth marrëveshjes, ku ramë dakord për një mesatare edhe për pagesën. Për hir të respektit, pranova dhe në marrëveshje nga vetë stafi RTSH ka qenë që në dispozicion të kem 2 dhoma hoteli, një për mua, një për asistentin tim, si dhe shoferi i RTSH të vijë të na marrë në Prishtinë (ashtu siç bën çdo herë tjetër). Në minutën e fundit, me ardhjen e drejtorit të ri, ata ndryshojnë këto dy pika të marrëveshjes, të cilat ishin motivuar me arsyetimin banal se nuk janë mirë me financa. Po të më kishin treguar më herët, nuk do kishte përbërë problem. Por në kohën kur unë duhet të përqendrohem në anën artistike, ky drejtor na kthen në pikën fillestare. M’u duk jo korrekte dhe e ligë ndaj ia ktheva me e-mail përgjigjen time që po tërhiqem, sepse unë nuk dua lojë me fjalë dhe se për asgjë nuk shkel mbi parimet dhe krenarinë time. Je e interesuar ta dish se cila femër do të të zëvendësojë? Jo, sepse, pa modesti e them, s’ka zëvendësim me mua, vetëm mund të bëjnë një kamuflim. Skenari ka qenë i bukur dhe tani duhet të ndërrohet. Për shumë femra dhe personazhe dikur ka qenë ëndërr për të moderuar festivalin e madh. Po ju e keni ëndërruar më parë? Ëndrrat e mia i kam të realizuara, ato nuk lidhen me famën por ky ka qenë një vullnet, qejf dhe kënaqësi. Po partneri, Enkeli, të kërkoi të kthehesh? Unë nuk shkel mbi dinjitetin tim për asgjë në këtë botë. E para për mua është krenaria, besimi. Me Enkelin kaluam shumë mirë dhe jemi përshtatur shumë. Edhe atij ia ndërruan pak fjalët, sepse me ne ka qenë edhe një person i tretë, aktor, mik i Enkelit, i cili herë pas here me skenar është dashur të ndërhynte në festival. Por që me ndërrimin e drejtorit, në një mbledhje Enkelit i thanë që ky aktor nuk mund të jetë pjesë e festivalit se buxheti qenka ngushtuar. Dhe ai u ndje keq, sepse tanimë ishte marrë vesh. Tani që nuk je ti aty, a do ta ndjekësh nga ekrani këtë festival? Nuk e di a do e ndjek. Nëse nuk udhëtoj, pse jo, festivali mbetet me respektin që ka nga e kaluara, andaj nuk mund ta ndërroj këtë mendim për një njeri të cilin as nuk e njoh.
(Maksim Gjokaj)

Diellza Kolgeci: “S'ka Zëvendësim Për Mua”