>
BIOSHQIP

Unikkatil, Unikkoncerti

17-07-2012
I cilësuar si revolucionari i muzikës rep në Kosovë e nga shumëkush edhe si mbreti i hip-hopit shqiptar, Viktor Paloka i njohur si Unikkatil së bashku më TBA zbriti në skenën shqiptare. Në një koncert të organizuar nga Powow Entertainment në kuadër të Powow Fest, ai arriti të mbledhë rreth 20 mijë veta në stadiumin e Prishtinës në një koncert të paparë deri më tani. Mijëra admirues ia mësyn stadiumit të Prishtinës të dielën. Jo për të shikuar ndonjë ndeshje futbolli, por në koncertin e njërit prej reperëve më kontrovers kosovar që arriti ta mbushë stadiumin me adhurues. Në skenën gjigante, me shumë drita, pllakat nisi t'i rrotullojë DJ Namik për ta nxehur publikun. Pak më vonë këngëtarja simpatike Argjira Kajtazi –Gjira doli në skenë me këngët e saj. Ajo nuk e fshehu simpatinë për grupin TBA, teksa mundohej të këndonte disa refrene të këngëve të tyre, e publiku nuk ndalej me britma. Skenës ia kanë mësyrë anëtarët e shumtë të TBA si Presioni, Jetoni, Barooti e tjerë. Skena ishte e rregulluar në atë mënyrë që në sfond dukej një kasetofon, traka e të cilit u hap kah ora 10 30 dhe nga aty nën përcjelljen e një sigurimi tej mase e duartrokitjet e britmat e publikut në skenë doli Unikkatil. Ai ka kënduar për më se 2 orë hitet e tij, duke e çuar publikun në delirium. E publiku e përcillte në refren. Këngët si 'Rrebeli u Kthy', 'Do', Ju Ha për S'gjalli', 'Vdekjen e sfidoj' i këndonte edhe publiku. E para se t'ia niste këngës ' Kuq e zi, Unikattil i veshur po ashtu kuq e zi tha se i ka mbet hatri pse flamuri i Kosovës nuk i ka ngjyrat kuq e zi , teksa pjesa e binës ku po qëndronte u ngjit lart. Kulmi erdhi kur në sfondin gjigant u shfaq flamuri kombëtar. Gjatë përformimit të hiteve të tij, Unikkatilin e kanë përcjellë edhe anëtarët tjerë të TBA , Klepto e Presioni etj. Për më se 2 orë Unikkatil e mbajti publikun në këmbë. Ai tha të ketë vendosur të mos shajë, diçka e zakonshme në këngët e tij, por me kërkesën e publikut i futi në lojë edhe diss'at kushtuar rivalëve të tij. Gjatë gjithë shfaqjes, Unikkatil është përcjellë nga masa të larta të sigurisë. Megjithëse ishin organizuar 3 kompani sigurimi private, u desh edhe ndërhyrja e Njësisë Speciale për të vënë rend. Kjo e fundit më tepër krijoi kaos, pasi gjatë ndërhyrjes për të mbajtur rend te publiku, nuk i ka kursyer as gazetarët, të cilët ishin të akredituar dhe kishin vendin afër skenës. Gjithsesi mbetet mister pse gjithë ky sigurim për Unikkatilin?! Me gjithë çmimin e lartë të biletave, në stadiumin e Prishtinës nuk është parë moti aq shumë publik. Siç duket stadiumi i Prishtinës do të duhet të presë kohë të gjatë për të pasur aq shumë vizitorë. Jo tifozë futbolli, po të repit. I ka kaluar përmasat e një koncerti gjigand, siç mund të ndodhte edhe me VIP-in më të njohur botëror. Por, ky ishte reperi kontrovers, Unikkatil, i cili meriton një "in' të madh për sa i përket shikueshmërisë në stadiumin e Prishtinës në mbrëmjen e 15 korrikut. Fansa nga shumë qytete të Kosovës, por edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia, kishin ardhur për të parë nga larg apo më afër Unikkatilin. "Kush tha se Unikkatili nuk shkel kurrë në Prishtinë". Kjo ishte fraza që reperi e ka përmendur shpeshherë gjatë koncertit të tij. Ndërsa ka pasuar me shprehjen tjetër "Ata ma hanë...", një provokim i drejtpërdrejtë për grupet e tjera rivale. E megjithatë, përveç shprehjeve eksplicite që dihet që Viktori i përdor, kishte edhe ndonjë ngatërresë tek tuk, që sigurimi i tij personal dhe sigurimi i Policisë së Kosovës nuk njiheshin. Ndërsa, mësojmë nga një burim se edhe pagesa e reperit ka qenë më e shtrenjta e ndodhur ndonjëherë për një artist që ka shkelur skenën e Prishtinës.
(Express )