>
BIOSHQIP

Ylli Limani, I Pa Kenaqur Me Eliminimin Nga Top Fest

30-04-2012
Tinejxheri nga Prishtina, Ylli Limani, i njohur për perfomancat e tij të jashtëzakonshme 'live' në spektaklin e talentëve të këndimit "The Voice of Albania", është shprehur tejet kritik ndaj vlerësimit të drejtuesve të festivalit Top Fest, të cilët, sipas tij, "nuk e lejuan" kualifikimin në gjysmëfinale.
Ylli mori pjesë në fazën e parë të Top Fest me këngën "Shko", një krijim ky autentik nga vet tinejxheri, i cili e ka komponuar këngën dhe e ka shkruar tekstin e saj.

"Kënga 'Shko' është shkruar nga unë. Kënga flet për ndjenjën kur edhe pse e kuptojmë dhe pranojmë që do të duam një person tërë jetën, vendosim ta largojmë nga jeta jonë, sepse prania e tij personi në jetën tonë na shkakton më shumë dhimbje se sa lumturi. Mendoj se fabula e këtij teksti ka bërë që kënga të përqafohet nga shumë njerëz të cilët e kanë pëlqyer dhe përkrahur".

"Sinqerisht, ndihem i befasuar me vendimin e bordit artistik të Top Festit. Edhe pse kishte shumë balada që u prezantuan në Top Fest, mendoja se fakti që kënga mbante firmën time, do të ishte një plus më shumë, sepse ideja e Top Festit është të përkrahë artistët e rinj dhe krijuesit e rinj. Gjithsesi, ndihem i lumtur që të paktën kënga është pëlqyer dhe përkrahur dhe po vazhdon të pëlqehet dita-ditës më shumë", është shprehur Ylli për Telegrafi.

Vlen të përmendet se në gjysmëfinalen e këtij edicioni të Top Fest janë kualifikuar të gjithë ish-konkurrentët e "The Voice", duke përfshirë Marselën dhe fituesen e spektaklit, Rinën.
(Telegrafi)

Ylli Limani, I Pa Kenaqur Me Eliminimin Nga Top Fest