>
LETERSISHQIP

Deti Me Zemer Te Kuqe

Paqe e ëndrrës sonë
Në ty derdhin lumenjtë
Tërë gëzimin tonë!
Në ty derdhen këngët
Që shpërthejnë në male
Siç derdhet poleni
Nga sythat n’petale…
Diell i Tokës sime
Në ty rrezet derdh
Të ëmblën buzëqeshje
Hëna faqeverdhë…
Në ty derdhin retë
Piklat e tingëllimën
Qengjat nga bregorja
Të butë – blegërimën.
Në ty derdhen tingujt
Nga miliona fyej
Në ty hyn e lahet
Dhe qielli me yje!
Kujton që s’e dimë
Unë e motra Buqe
Që dhe ti o det
Ke zemrën e kuqe!
Para se kaltërinë
T’na e falesh për sy
Do lumenj të kuq
A s’i derdhëm në ty?…
Ta ofrojnë të keqen
S’e pranon o det –
E merr nga thellësia
Në syprinë e qet!
Kur trazohet qielli
O t’i prek kush malet
Sa bëhesh i tmerrshëm
Seç i tërbon valët…
Ti gjithmonë i kaltër
Dhe n’ përralla t’Lokes
Ti nuk dhe bajlozë
Që i vërsulën Tokës.
Më jep fuqi o det
Për vargjet e mia
Shih si po ngjallet
Gjergj Elez Alia…
Ika të bredh maleve
T’i kërkoj ilaçet –
Gjergj Elez Alisë
Do t’ia shëroj plagët…