>
LETERSISHQIP

S'jam Më Pak Se Një Rruzull Tokësor

Shëmbin tërmetet e herë-pas-hershme,
ëndrrat i kthejnë në gërrmadha.
Gërrmoj me duar të përgjakura me
shpresë se mund të sos diçka,
qoftë dhe të gjymtuar,
që të ma rrëmbejë herën tjetër një uragan i
papritur që duket se më përgjon
bulçifryrë në një qosh.
Ashkëla-ashkëla tentoj nga e para ti jap formën e dikurshme me aq sa ka mbetur,
por era depërton me thëllimë
si për të thënë, vishu pak më tepër.
Shpesh gënjehem, diellit rrezeartë që shëmbëllen me një verë të ngrohtë me
diejperëndime fantastike.
Pushtimet dallgëzore, lozonjare,
tërheqin drejt thellësive
dhe mendon se mund të dalësh përtej,
në një breg tjetër që duket i paqshëm
në pamjen e parë.
Sakaq, të ka përpirë vrima e zezë e Bermudës.
në mos je gjëndur në hambarin e një
peshkaqëni të uritur.
Dhe rilind përsëri pas shekujsh diku tjetër.
Në vënde të panjohura plot surpriza,
jo gjithmonë të kënaqshme.
Duhet ti ruhem kafshimeve shtazarake,
ndaj fle në fole zogjsh.
E kam zili lirinë e tyre ndaj tentoj ti imitoj,
megjithëse shpesh kam thyer hundën gërrxheve,
në përpjekje për tu ngjitur lartësive,
atje ku nuk arrijnë bashtet që tjerrin shtrëngata rrufelëshuese që përcëllojnë
pemët e gjelbëra.
Dhe ngrihem e shpupulisur, lotë-kapërdirë
e heshtur për të kapërxyer përtej lumin e
rrëmbyer që të nxjer në një pllajë të
lulëzuar ku një kaprroll i trëmbur të jep
puthjen e jetës.
E ç’vlen e gjithë kjo, sado e shtrënjtë të
jetë jeta, pa një shpirt.
Atë shpirt të ngurtë si shkëmbinj të zinj
vullkanesh të fikur në sipërfaqe por që
premtojnë një shpërthim të ri në të
ardhmen e afërt apo të largët.
Der’ at’here le të pushoj për pak nënë
driten e zbetë të Hënës në fasadë
yjesh të largët.
Së shpejti do të zbardhi një ditë plot diell
për t’ia lënë përsëri vëndin natës.
Nesër ndërrojnë stinët.