>
BIOSHQIP
Biografia
Durrësi është një qytet që identifikohet lehtë, jo vetëm nga deti, porti, monumentet arkeologjike dhe historia e lashtë. Që prej gati një gjysëm shekulli një këngë e bukur, e shkruar dhe interpretuar vetëm nga durrsakë është kthyer në një himn dashurie për qytetin tonë.

“Të falem I bukuri Durrës” gati e ka humbur autorësinë, ashtu siç ndodh vetëm me krijimet e mëdha dhe të përjetshme, dhe të gjithë ata që e këndojnë apo fishkëllejnë ndjehen se janë nga pak kompozitorë e këngëtarë.

Por kënga për Durrësin, ndoshta e vetmja që këndohet me kaq sukses krahasuar me qytetet e tjera shqiptare, “Të falem I bukuri Durrës” i ka autorët e saj: krijuesin e tekstit Hysen Çela, këngëtarin Qemal Kërtusha e mbi të gjitha kompozitorin e shquar Enver Mara, I cili krijoi melodinë e bukur e të pavd, ekshme të siglës muzikore të qytetit tonë.

Enver Mara ka lindur në Durrës në ditën e parë të vitit 1921. Do ta jetonte rininë e tij mes dy luftrave botërore në një qytet që po zhvillohej me shpejtësi. Ende fëmijë ai dëgjonte xhaxhallarët e tij që luanin në instrumenta dhe së bashku me të jatin këndonin mbrëmjeve në oborrin e shtëpisë. Filloi të zgjohej një interesim I veçantë për muzikën te Enveri I vogël, por kjo nuk do të zgjaste.

Pas vd, ekjes së të jatit, megjithëse shumë I ri në moshë nis të punojë për të ndihmuar familjen. Xhaxhai I tij muzikant e regjistron në bandën frymore të qytetit. Djaloshi I ri gjen atmosferën që I duhej, por mbi të gjitha fillon të lëvrojë pasionin e fshehur. Pas pune, ditë e natë Enveri mëson solfezhin dhe teknikat e interpretimit.

Ishte vetëm 16 vjeç, kur I besojnë të luajë si solist një nga sonatat e Franz Shubertit. Përballë ishte publiku durrsak, ndërsa pas tij djaloshin e shoqëronin të gjithë ata që I kishin mësuar të fshehtat e instrumentit. Pa harruar që banda frymore e qytetit, ose fanfara, siç njihej ndryshe ishte themeluar në vitin 1908 dhe artistët amatorë kishin një përvojë të gjatë.
Shumë vite më vonë kur ai bëhet drejtues I Fanfarës së Durrësit me siguri e ka kujtuar ditën kur ka interpretuar për herë të parë si solist. Ndoshta edhe ky fakt e bëri Enver Marën një nga dirigjentët më të njohur në shkallë vendi.

Por artisti durrsak nuk u ndal këtu. Vokacioni artistik e thërriste të thyente edhe barriera të tjera. Mara nis të kompozojë dhe këngët e tij shumë shpejt bëhen mjaft të njohura.

Matish Gjeluci, një prej autorëve më të njohur të teksteve në Durrës para disa kohësh kujtonte këngë të tilla si “Shamia e ushtarit”, “Korrësja e re”, “Vasha devollite”, “Dikush përgjon te kroni”, “Kthente djali nga ushtria”, etj.
“Ndoshta pa e kuptuar mirë as ai vetë, kënga e Enver Marës filloi që në këtë periudhë të krijimtarisë së tij të ketë ngjyra të veçanta, të formojë fizionominë e saj, të dallojë prej shoqeve, të ketë vulën e personalitetit krijues të kompozitorit-ka treguar Gjeluci për ATSH-në. Ajo karakterizohet nga sinqeriteti I frymëzimit, nga thjeshtësia, nga qartësia, ndjenja e ngrohtë dhe nga mbështetja në motivin popullor-thotë poeti, duke shtuar: Ja pse kënga e tij u bë e dashur, ja pse ato këndoheshin jo vetëm në mikrofonin e radios, por edhe në shfaqjet e dhjetra grupeve amatore si dhe në festat popullore e failjare”.

Muzika e vodevilit “Kopshti I jargavanëve”, e kompozuar prej tij me kërkesë të teatrit të Durrësit u bë shkak që Mara të kompozonte edhe opereta të tjera. Regjisori Gjergj Vlashi kujton bashkëpunimin e tij si libretist me kompozitorin Enver Mara në operetën për fëmijë “Libri dhe topi”, si dhe në operetën “Këngë për detin”. Enver Mara dëshmoi kështu se mund të krijonte shumë më tepër se një buqetë me këngë.

Megjithëse autodidakt, në kushtet kur tashmë kishte edhe familjen e tij të re, vullneti I Marës për rritjen e nivelit profesional ishte I admirueshëm. Lindin këngë të tjera të njohura si “Legjenda e erës”, “Qyteti im”, “Kush ka faj”, “Hej, dëgjoni si bie lodra”, etj.
Në shënimet e prof. Enver Marës, të cilat I ruan me shumë kujdes e bija pianiste, Afërdita Mara Sinemati, janë regjistruar 125 këngë për masa që nisin në vitin 1951 me titullin “ Para shoqe” dhe përfundojnë me titullin “”Shkambi legjendar” në vitin 1971.

Më pas janë 30 tituj të muzikës së lehtë, dhe 17 vepra për bandë frymore, ku dallohen: Fantazi, marshe, uvertura, rapsodi, që të gjitha vepra të interpretuara në Durrës e Tiranë, dhe pjesërisht të regjistruara në fonotekën e Radio Tiranës.
Afërdita thotë se do të ishte mirë që shënimet dhe veprat e të jatit kompozitor të ishin pjesë e një arkivi të specializuar, në mënyrë që ti shërbejnë jo vetëm historisë së muzikës shqiptare, por edhe ekspertëve që i janë përkushtuar fushës studimore.

Enver Mara jetoi vetëm 54 vjet. Shumë pak për një krijues, I cili edhe në vitet e fundit të jetës kishte shkruar vepra të tilla si opereta “Dallgët e kuqe”, me libret të Haxhi Ramës dhe Matish Gjelucit. Një sëmundje e rëndë ia ndërpreu jetën më 24 nëntor të vitit 1975, duke I shkaktuar dhimbje të rëndë familjarëve, por edhe atyre që punuan me të, e në të njejtën kohë edhe artdashësve të shumtë, që jo vetëm i duartrokitën krijimet dhe këngët e shumta të kompozuara prej tij, por edhe I kënduan në çdo rast.
Njëlloj siç na ndodh, kur dëgjojmë himnin e dashurisë së sinqertë që kompozitori Enver Mara shkroi për qytetin e lindjes “Të falem I bukuri Durrës”./Gëzim Kabashi/