>
LETERSISHQIP

Shtatë Vjet

Në vrapin e furishëm në të shtatën time
më ndaloi një insekt i imët në sy,
vetëm shtatë ditë pas synetisë.
Nga xharrahu i qytetit mora duaj shtatëshe
qortimi- mjaftonte që të zë mend për shtatë vjet
ndryshimi në tërë trupin kurse
vrushkulli i sekretit burrëror lagte
ndërresat çdo mëngjes pas ëndrrash të qullëta.
Të gjithat që m’u ulën në prehër e ndjenë
ngrohtësinë e një zemre që mallon sall për një duaj
buzëqeshjesh, të m’i ngop sytë dhe zërat
nëpërmjet telefonit mbrapa derës
së korridorit ku rrija pakëz më shkurtë
se fshesa e shtëpisë.
Një gjarpër u fut në dhomë tek sa dritarja
e çelur përcillte rrezet e bollshme deri
përtej gjysmës së odës, u fsheh ndër dërrasa llamperie
që mveshnin gjysmën e mureve
një pasqyre mora ta shoh ku fshihej ajo krijesë
e rrezikshme tek sa gjyshja me thoshte të mos
E ngacmoj- gjarpër shtëpie, do ik vet dhe
Ruaj hambarët me drithëra që mjaftonin
për ne dhe minjtë e fushës.
Nuk i ngacmonim as minjtë, sepse shtatë orë para tërmetit
ata bërtisnin dhe iknin me frikën e tërbuar,
e ne pamë gropa të mbushura me ujë në oborr
tek formonin rrathë nga dridhja e tokës. Dridhej edhe
Ford Capri i babit. Nëna na nxori jashtë- në mes
të oborrit nga frika e tërmetit të fuqishëm dhe
vaj halli nga shembja e shtëpisë.
Kjo nuk ndodhi.
Përse na nxori në oborr; mua, motrën dhe vëllanë
kuptova pas shtatë vitesh- një vit pasi që vdiq
gjyshja nga duart magjike të së cilës lindën
Shumë fëmijë, tani burra që lindin fëmijë Kosove
viktima të gjenocidit serb.

Më shumë nga Fahredin Shehu