Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!

Fatime Sokoli
(1948-1987)
  • Vendlindja:
  • Dragobi 
Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.9 / Votuan:  119

Fatime Sokoli është këngëtare e njohur. Këngëtarja e mirënjohur në Shqipëri, veçmas në Kosovë, Fatime Sokoli, lindi në fshatin Dragobi të Tropojës, më 18 qershor të vitit 1948. Ajo lindi në Termopilen e Bajram Currit, atje ku heroizmi shqiptar kishte shënuar faqe të ndritshme të qëndresës shekullore kundër pushtuesve. Pushka dhe kënga ishin fort të lidhura njëra me tjetrën dhe nuk bënin dot njëra pa tjetrën. Pushka printe, hapte shtigje, kënga përcillte trimërinë nga brezi në brez, frymëzonte malësorët e vegjël, që kur të rriteshin e të burrëroheshin me pushkë të ruanin trojet nga banditet, nga gjakatarët nga pushtuesit.
Në shkrepat e Dragobisë, në kujtimin e paharrueshëm të qëndresës së Bacë Bajramit, Hasan Prishtinës, Avni Rrustemit, po rritej edhe një bijë e Malësisë, e cila qysh në moshë të re, falë talentit dhe edukatës familjare, falë shoqërisë që u interesua për të, ajo po rritej e lirshme dhe e hareshme nën tingujt e çiftelisë e të sharkisë, duke kënduar këngë për trimat e trimëreshat e Tropojës e të Malësisë së Gjakovës, këngë për Shote Galicën e për trimat e Shqipërisë.

Fatime Sokoli është shfaqur para publikut në moshën e saj 12 vjeçare dhe që atëherë ishte vërejtur talenti i saj i pashoq, zëri i thekshëm ashtu si jehona e maleve të Dragobisë, pastaj përkushtimi i saj për këngët e trimërisë dhe për instrumentet popullore, bënë që ajo për asnjë çast të mos i ndahej këngës.

Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Përparim Sokoli, duke folur për hallën e vet, Fatime Sokoli, ka sjellë në kujtesë fjalët e babait i cili kishte treguar se në përvjetorët e rënies së atdhetarit, Bajram Curri banorët liridashës të kësaj ane mblidheshin çdo vit në vendin ku ka rënë heroi, te Shpella e Bacë Bajramit. Aty malësorët organizonin aktivitete të ndryshme tematike e kulturore. Në atë kohë, në një skenë të improvizuar buzë shpellës, doli Fatime Sokoli, e veshur si djalë me çifteli në dorë dhe këndoi një këngë për Bajram Currin. Të gjithë pjesëmarrësit u habitën nga zëri dhe nga melodia që nxirrnin tingujt e çiftelisë. Por më të hutuar ngelën pjesëtarët e familjes, të cilët nuk e kishin dëgjuar kurrë të këndonte Fatimen e tyre. Ajo kishte arritur të mësonte vetë t'i binte çiftelisë dhe atë ditë u bëri një surprizë të gjithëve. Fatimeja jo vetëm që i habiti të gjithë me talentin e saj, por theu edhe një tabu. Ajo ishte malësorja e parë që këndonte dhe i binte çiftelisë, në atë moshë aq të re.
Prej atij momenti, Fatime Sokoli kishte pushtuar publikun në radhë të parë, sepse këndonte bukur dhe interpretonte me virtuozitet çiftelinë, por edhe sepse si vajzë e re paraqitja e saj ishte diçka e re, e pazakontë. Sa herë organizoheshin festa ose nëpër gëzime familjare, Fatime Sokoli këndonte në odat e burrave dhe ajo këndonte dhe i binte çiftelisë, më pas ajo u bë pjesë edhe e Ansamblit Popullor të rrethit të Tropojës.
Duke e parë talentin e saj të lindur për këngën autoritetet e Tropojës e dërguan për vazhdimin e shkollimit në kryeqytetin e Shqipërisë. Fatime Sokoli regjistrohet në liceun artistik "Jordan Misja", në Tiranë dhe pas përfundimit të shkollës u kthye në Tropojë. Ajo filloi punën si mësuese e muzikës, ndërkohë që ishte edhe anëtare e Ansamblit Popullor të Rrethit të Tropojës. Gjatë kësaj kohe, ajo mori pjesë në të gjitha festivalet kombëtare të Gjirokastrës, ku edhe iu akorduan një numër të madh çmimesh.”

Nipi i saj, Përparim Sokoli, thotëse Fatimja këndonte këngë të trimërisë dhe dashurisë për vendin, këngë për Kosovën e për viset e tjera shqiptare jashtë kufijve tanë. Njëherë, në një koncert në Prishtinë disa serbë fikën dritat e sallës ku ajo po këndonte. Por, ajo nuk e ndërpreu këngën, vazhdoi të këndonte, ndërkohë disa spektatorë atje hoqën bluzat dhe u vunë flakën në mënyrë që të bëhej dritë. Këngët e saj ishin nga më të pëlqyerat edhe në emisionin e Radio Tiranës, "Për bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut". Në këtë emision, kërkesat për këngët e saj ishin të shumta dhe ishin në vend të parë. Dashurinë që kishin për Fatimen shqiptarët e diasporës e shprehën edhe kur ajo vdiq. Pasi në shtëpinë e saj nuk munguan të vinin letra dhe mesazhe të panumërta ngushëllimi. Por gjënë më të bukur e kanë bërë disa shqiptarë nga Zvicra, të cilët sollën një si sixhade nga ato që vareshin në mur, copë e madhe gati 4 metra katrorë, ku ishte e qëndisur portreti i saj duke i rënë çiftelisë.
Mirëpo Fatimeja kishte kohë që vuante nga veshkat, derisa sëmundja kaloi në azotemi. Duke qenë se në atë kohë ajo gëzonte statusin, "Artiste e Merituar", u dërgua për shërim jashtë vendit, por nuk u arrit që të shërohej. Pas kthimit në vend dhe pas një trajtimi të gjatë mjekësor, edhe pse ishte e sëmurë vazhdoi të këndonte dhe të merrte pjesë në koncerte të ndryshme, derisa pas disa muajsh u detyrua të shtrohej në spitalin e Tiranës. Pas një qëndrimi dhe mjekimi prej disa muajsh, gjendja e saj nuk u përmirësua, por u rëndua edhe më keq. Unë isha i ri në atë kohë dhe mbaj mend që kur shkoja për ta vizituar, ajo bënte gjithmonë shaka dhe ishte shumë e fortë. Mjekët thoshin se ajo nuk stepej nga sëmundja dhe e mbante gjallë me humor gjithë pavijonin ku ajo ishte shtruar. Duke parë që gjendja u bë edhe më keq, edhe ajo dëshironte të kthehej në vendlindje, kështu u bë e mundur nxjerrja nga spitali dhe sjellja me helikopter në Tropojë. Vetëm një ditë pasi kishte ardhur, ajo vdiq.
Babai im ishte vëllai i madh dhe i vetëm i Fatimes, njëkohësisht kishin edhe një motër tjetër, por që nuk banonte në Tropojë. Ajo dhe babai ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, kjo pasi edhe ata kishin ngelur jetimë në moshë të vogël. Mua halla më kujtohet gjithmonë e qeshur dhe e dashur. Duke qenë se ne ishim pesë vëllezër dhe ajo nuk kishte fëmijë për shkak të sëmundjes së saj, ajo çdo ditë pushimi na merrte në shtëpinë e saj. Por që mos i mbetej qejfi asnjërit, na merrte me radhë dhe duke qenë mësuese në shkollën ku ne studionim, ajo gjithmonë interesohej se si ecnim ne në mësime. Artistja e Popullit u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, më 8 qershor 1987.

Këngëtarja popullore, Fatime Sokoli, e cila ka kryer edhe Liceun e Muzikës, “Jordan Misja”, në Tiranë, radhitet ndër emrat më të njohur dhe më meritorë të interpretimet të këngëve të zhanreve të ndryshme popullore, por mbi të gjitha për këndimin tërë pasion të këngëve të trimërisë, këngë të cilat kishin për qëllim mobilizimin kombëtar të masave shqiptare. E lindur, e edukuar dhe e rritur në një ambient kur pushteti popullor kishte filluar arsimin masiv dhe përkujdesjen për popullin, talenti i saj ra në sy të njerëzve, që kishin marrë përsipër emancipimin e femrës shqiptare, shkollimin dhe hapjen e perspektivës për gjininë e shtypur e të keqtrajtuar gjatë shekujve të gjatë të robërisë dhe Kanunit të egër të Maleve, i cili femrën e trajtonte si “shakull për të bajtur”. Në kushte dhe rrethana të tilla doli në sipërfaqe talenti i saj dhe iu hapen dyert drejt arsimimit, edukimit muzikor e pedagogjik.
Rrethanat e reja që u krijuan në Shqipërinë e kohës, interesimi i pushtetit popullor për edukimin patriotik të masave, pretendimet e zgjimit dhe kalitjes së vetëdijes klasore e kombëtare, shpalimi i ngjarjeve historike dhe rikthimi i porosisë për bashkimin e kombit, ishin pjesë e programit për ndërtimin e identitetit kombëtar të shqiptarit bashkëkohor, pavarësisht sa u arrit në atë drejtim dhe pavarësisht si komentohet sot nga kundërshtarët e regjimit, të cilët kishin marrë pjesë në ngritjen e tij. Pikërisht në atë kohë të zgjimit të madh, në këtë kohë të mobilizimit të tërë një populli, që jetonte i ndarë nga bota dhe i rrethuar nga fqinjët grabitqarë, kënga, artet kultura ishin bërë pjesë e politikës së shtetit dhe Partisë dhe si të tilla ato u bënë pjesë e kulturës socialiste, por me elemente të theksuara kombëtare.
Paraqitja në skenat e festivaleve të Fatime Sokolit, Feride Kurtit, Vitore Rushës, Violeta Përbashës, Mrika Trumshit, Drane Gegës, Kleopatra Dokles, Irini Qiriakos, Dava Gjergjit dhe shumë këngëtareve të tjera, ngjallte entuziazëm atdhetar te shikuesit në Televizion dhe dëgjuesit e radiove jo vetëm në Shqipëri, por kudo në trevat shqiptare, sepse Radio-Tirana e Radio-Kukësi kishin shumë më tepër dëgjues në Kosovë sesa Radio Prishtina apo radiot e tjera lokale të Kosovës, mbi të cilat ushtrohej censurë e ashpër ideologjike.
Shqiptarët në Kosovë në vitet 50 e 60 madje edhe dënoheshin me burg për kundërvajtje nëse hetoheshin duke dëgjuar Radio-Tiranën apo Radio Kukësin. Dhe, pikërisht për këtë lidhja shpirtërore e shqiptarëve kishte filluar të çelnikosej. Këngët që i këndonte Fatime Sokoli dhe këngëtarët e tjerë në Shqipërisë kishin filluar të këndoheshin nga këngëtaret e Shoqërive Kulturore Artistike, kudo në Kosovë.
Ishte koha e rizgjimit kombëtar të shqiptarëve nën pushtimin jugosllav në Kosovë dhe në trojet e mbetura nën pushtim, dhe këtij rizgjimi kombëtar po i kontribuonin jashtëzakonisht shumë Radi0-Tirana e Radio-Kukësi, ku programet kombëtare po realizoheshin sipas direktivave të PPSh-së me qëllim të caktuar, që fryma revolucionare kombëtare të depërtonte sa më thellë në Kosovë. Krejt kjo rrodhi natyrshëm dhe gjeti terren shumë të, përshtatshëm për ndikim e frymëzim, sepse shqiptarët nuk kishin asnjë dobi nga dëgjimi i Radio-Beogradit apo Radio-Nishit, meqë as e kuptonin gjuhën as kishin dëshirë të dëgjonin këngë të tilla, të cilat po ashtu nuk i kuptonin. Asokohe, në dy deceniet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ishin në numër të vogël ata shqiptarë që nuk e dëgjonin Radio-Tiranën, apo që nuk kishin simpati për Shqipërinë Socialiste, pavarësisht si mund të deklarojnë sot.

Këngët e rapsodes popullore, Fatime Sokoli shqyhen për mënyrën autentike të këndimit, për tematikën, qartësinë e fjalëve dhe zërin magjeps femëror me tone burrërore. Ajo arriti ta nxjerrë në sipërfaqe këngën tipike të Malësisë së Gjakovës, e cila kishte ruajtur format arkaike të këndimet shekullor, rapsodik, dhe kishte ushtruar ndikim edhe në Dukagjin e gjithandej në Kosovë.
Në repertorin e saj zënë vend me rëndësi edhe këngët për Kosovën, këngët për Bajram Currin, Shote dhe Azem Galicën, Emin Durakun, Ganimete Tërbeshin dhe për shumë trima e trimëresha shqiptare.
Ishte kënga e parë e kësaj këngëtareje që u këndoi me dhembje e krenari demonstratave popullore të rinisë shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981. Ishte kënga që e mbajti gjallë moralin patriotik të revolucionarëve të Kosovës, të cilët marshonin me moton “Ecin para vëlla, kthim para s’ka”. Këtë rrugëtim të gjatë, historik të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera të robëruara i shoqëronte edhe kënga e zjarrtë patriotike e Fatime Sokolit, Dervish Shaqës, Sali Manit, Dava Gjergjit, Aziz Ndreut, Feride Kurtit e shumë këngëtarëve të tjerë.

» Dërgo Korrigjime »

» Tekstet e Këngëve »

Komente

1


Komente mbi këtë artist


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet
Duke u ngarkuar... Prisni ju lutem
Shiko të gjitha komentet