>
BIOSHQIP

(1936-2023)

Biografia
Ajo erdhi në tribunën e këngës, kur për këngën kishim shumë uri. Ishte vajza e parë matjane, që merrte atë guxim. Kishte ambicien, që në tempullin e këngës të barazohej me burrat, për të dëshmuar bukurinë dhe fuqinë e zërit të femrës, që njëherësh përfaqëson nënën, motrën, gruan, shqiptaren. Shpërtheu shpirti i saj, zëri që gjer atëherë na kishte munguar. Paralajmëronte ai zë mbërritjen e këngëtares që do ta bënte më të njohur Matin në gjithë Shqipërinë e do të çonte në këmbë qindra e mijëra njerëz në kalanë e Gjirokastrës, në Pallatin e Kulturës të kryeqytetit, në fshatra e qytete, anembanë vendit. Një mal me këngë për luftrat e lirisë, një gjerdan me këngë lirike matjane, që janë të rralla për meloditë dhe vargjet e ndjera, pruri e përcolli viteve Feride Kurti. Ajo na bëri më të bindur, se në jetën tonë kënga lirike ka vendin e pazëvendësueshëm, që na afron më shumë me sofrën, me të bukurën, me dashurinë, me lirinë e vetvetes. “Çaheshin” radiot kur këndonte Feride Kurti këngën “Cucë e bukur moj matjane”, “A e mban mend e vogël-o”, “Valëzat e Liqenit”, “Ndalu mbret se k’tu s’asht Roma” dhe mbi gjashtëdhjetë këngë të tjera që ruhen në fondin e artë të Radio Tiranës dhe TVSH-së. Jeta për Feride Kurtin ishte kënga. Ndryshe ajo nuk do të bëhej aq e kërkuar në katër anët e vendit, madje edhe jashtë atdheut. Do të vinte një ekip nga Radio Televizioni i Prishtinës, të qëndronte disa ditë në Burrel për të regjistruar këngën e Feride Kurtit kushtuar heroit të popullit Vasil Laçi dhe disa këngë të tjera folklorike.

Ferideja sakrifikonte për këngën, jo në emër të emrit të saj, por për të përfaqësuar Matin në aktivitetet e rëndësishme kombëtare. Ka pasur në jetën e saj një çast shumë të hidhur, kur zëri i përcillte këngën dhe sytë i pikonin lot. Pse ndodhi kjo?

Nga një sëmundje e rëndë i vdes bashkëshorti, Hysen Reçi. Kjo fatkeqësi përkoi me ditët kur grupi artistik i Matit përgatitej për të konkuruar në një festival në shkallë kombëtare. Po a mund të shkonte ai grup pa zërin e këngës matjane, Feride Kurtin? Jo. Të zënë ngushtë se do të rrezikohej pjesmarrja në atë festival, disa pjesmarrës të Ansamblit “Mati” i thanë asaj se dhe ata nuk do të shkonin. Në ato kushte këngëtarja mori vendimin që ishte krejt i papritur. Ajo do të dilte për të kënduar, por kishte frikë se mos e tradhëtonte zemra. Por zemra e dhimbjes dinte t’i bënte vend këngës edhe si ngushëllim. Bënte prova në skenë dhe dilte e qante pas kuintave. Binte pak në sy kur zërin ia shoqëronin lotët. E pra, teksti dhe melodia e këngës, ishin shpërthime të gëzuara, “Valëzat e Liqenit”.

Të ngresh një mal me këngë dhe të koperosh jo pak vështirësi e halle, do të thotë të jesh një grua e jashtëzakonshme, gjë që ndodh rrallë. Dhe vërtetë në Mat Feride Kurtin e zgjodhën për model dhjetra vajza matjane të talentuara, por megjithatë ajo nuk u arrit dhe mbeti e papërsëritëshme. Këtë e pranojnë Vera, Selvia, Florina, Fatmira, Drita pasardhëse në këngë të Ferides.

Kjo këngëtare brilante, për shkak të politizimeve të tejskajshme të disa këngëve të saj, shpesh edhe të imponuara, ka sot një përqindje të papërfillshme të repertorit të këngëve që ende mbijetojnë. E vetmja kënaqësi, që ajo mund të ndjejë, është se ishte dhe do të mbetet shpirti i zjarrtë i këngëve epike dhe lirike të trevës së Matit, e përcjellur nga këngëtarët ndër breza.

Duke i parë me një vështrim dhe më të gjerë vlerat e këngëve të Ferides na dalin në takimin e kujtesës edhe simotrat e saja në rrethe të tjera të vendit tonë, të mirënjohura në përjetimin e këngëve popullore, perla, që edhe sot janë më të pëlqyerat nga të gjitha moshat. Ato luajtën një rol të madh në prezantimin e Shqipërisë edhe para opinionit artëdashës të Ballkanit, Europës dhe më gjerë.

Ka qenë Radio Kukësi, institucioni që këngët e Ferides i ka përcjellë për shqiptarët matanë Drinit, në Kosovë e Maqedoni dhe përtej liqenit të Shkodrës, Radio Shkodra, në Mal të Zi. Shovinistët serb tërboheshin nga ato këngë, por nuk mund t’i ndalonin, ngaqë s’e kishin atë fuqi.

E thjeshta, si njerëzore dhe e madhja, si këngëtare, Feride Kurti “qëndisi” për Matin një gjerdan me këngë popullore. Sa herë do t’i dëgjojmë ato këngë, apo t’i sjellim në kujtesë ata vite të zhvillimit të vrullshëm, të veprimtarive kulturore artistike të Burrelit do të themi: “Ah, kur këndonte Feride Kurti!”

Artistja e këngës ende e ruan zërin e bukur. Mosha s’ka mundur t’ia heqë atë të drejtë.
Aktiviteti i Feride Kurtit lidhet ngushtë me orkestrinën popullore, e cila shoqëroi për dekada me radhë këngët e kënduara prej saj. Këtë orkestrinë e kam drejtuar unë, (Y. Neli. shën. i EMATHJA), që nga krijimi i saj e deri më sot.

Kompozitorë dhe krijues që punuan për repertorin e saj.

1959-1962 Ishin vitet kur u bënë içizimet e këngëve të para. Kompozitori i madh Skënder Frashëri bashkë me drejtorin e atëhershëm të Shtëpisë së Kulturës, krijuesin Isuf Meta, lanë gjurmë të arta me këngët e bukura matjane të karakterit popullor dhe qytetar si, “Ditë korriku ’31”, “Cucë e bukur moj matjane”, “Skuadër komandante”, “Më ka zan’ maraku me nji cucë matjane”, “Për ty cucë matjane” etj, që kapin shifrën mbi dhjetë këngë të kënduara këtu nga Feride dhe Vera Kurti. Për meritën e tyre e renditën Matin disa herë në vende nderi. Këto këngë gjysëm shekullore edhe sot qëndrojnë të freskëta.

1966 Kompozitori Munir Shehu krijoi dy këngë popullore me motive matjane, “Kënga e liqenit të Ulzës” dhe “Laçi, Bruçi dhe Uraka”, të cilat u kënduan në festivalin folklorik në Elbasan. Këtu Feride Kurti la mbresa të thella në publikun elbasanas. Orkestrina jonë popullore e krijuar në atë vit nën drejtimin tim shoqëronte për herë të parë para publikut këngëtaren Feride Kurti. (Më parë këngët shoqëroheshin me piano ose fizarmonikë, klarinetë etj.)

1967 Në Lezhë përkujtohej 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Për nder të kësaj ngjarjeje u zhvillua këtu edhe festivali folklorik kombëtar. Ferideja u paraqit në këtë festival më këngën “Cucat zenishtare”, krijim i Sabri Alisë, me të cilën u vlerësua me çmim të parë.

1968 Hera e parë që festivali folklorik kombëtar zhvillohej në Gjirokastër. Këtu Ferideja u paraqit me “Këngë kushtuar Shkurte Skurës”, krijim i Sabri Alisë.

Një nga ato ditë të festivalit ne shkuam në qytetin e Delvinës për të dhënë një shfaqje. Lokali ku ne jepnim shfaqjen ishte mbushur plot. Në momentin kur filloi të këndojë Ferideja, ata që ishin jashtë thyen xhamat duke u futur nga dritaret për të parë nga afër Feriden kur këndonte. Në orët e vona të natës na shpuan gomat e autobuzit që të mos largoheshim nga Delvina.

17 janar 1968 U zhvillua Konferenca Albanologjike ku morën pjesë studiues nga Ballkani dhe Europa. Për nder të tyre u dha një koncert i madh festiv ku këndoi edhe Ferideja.

1969 Për nder të festave të 28-29 Nëntorit, nën shoqërimin e orkestrinës sonë para publikut tiranas, Ferideja la mbresa të thella me “Këngë për Isuf Plloçin”, krijim i Sabri Alisë. Dua të theksoj se nga temperatura e ulët dhe të ftohtët, ajo ishte në gjendje gripi si shumë këngëtarë të tjerë, por falë dashurisë për këngën dhe aftësive të saj, arriti të këndojë si gjithmonë dhe të marrë vlerësimin maksimal, bashkë me orkestrën tonë, nga ish-ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Daljana.

1971 Me tekstet e shkruara nga Kolë Ndreka, krijuesi Xhevat Lishi krijoi katër këngë për Feriden, por ato që u pritën më mirë qenë ”Po pyet bota për Shqipërinë” dhe “Në mes të stuhisë shkëlqen Shqipëria”, të cilave Ferideja iu ngriti vlerat duke u vlerësuar maksimalisht në festivalin e ushtrisë.

1976 Edhe unë krijova këngë për Feriden, si “Lufton Mati për liri” me tekst të Ymer Toçit, e cila u vlerësua shumë. Nga krijimet e mia në vite, me tekste të Kolë Ndrekës, Feride Kurti këndoi dhjetë këngë, nga të cilat veçoj “Këngë për Vasil Laçin”, “Hej bre Dibër zemër madhe”, “Haxhi Zgjuni”, “Zëri i trimave të Kosovës”, “Hapet libri me kujtime” etj. Një pjesë prej këtyre këngëve janë të inçizuara në Radio Tirana.

1978 Festivali i tretë i folklorit në Gjirokastër. Grupi i Matit niset drejt Sarandës për një ekskursion. Gjatë rrugës na bllokoi një grup i madh njerëzish që thërrisnin: “...pa kënduar Feride Kurti, nuk do të kaloni”. Atëherë Ferideja këndoi plot 15 këngë dhe rruga u hap. Dhe Shefqet Merra kompozoi katër këngë për Feriden, të cilat u inçizuan në Radio Tirana, ndërsa me këngën “Këngë për Ushtrinë” u vlerësua me çmim në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.

1980 Një ekip i Radio Televizionit të Prishtinës, në mjediset e natyrës së bukur matjane, regjistroi shumë këngë folklorike të trevës sonë të kënduara nga Ansambli “Mati” dhe nga Ferideja. Kënga që u pëlqye më shumë ishte “Këngë për Vasil Laçin”. Fatëkeqësisht këto këngë nuk arritën të transmetoheshin prej tyre, për arsye të demonstratave të Pranverës 1981.

Feride Kurti ka mbi dyzet këngë të shoqëruara nga orkestrina popullore e Matit, krijuar nga autorë matjanë, pa llogaritur këngë të autorëve të tjerë. Fatkeqësisht gjysma e tyre nuk janë të regjistrura në fonotekën e Rradio Televizionit për arsye subjektive. Këngët që ka kënduar Feride Kurti ishin këngë epike dhe lirike, me një shtrirje vokale maksimale, që deri më sot nuk ka mundur t’i këndojë ndonjë tjetër në Mat ashtu si ajo. Në këtë kontekst, mbetet një këngëtare e paarritshme në Mat e më gjërë, për natyrën e saj.

Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, në Korrik 2023. Lajmi i hidhur është bërë me dije në rrjetet sociale nga të afërmit e saj, por është shpërndarë edhe nga gazetarë e artistë.
KATEGORI: