>
LETERSISHQIP

Tejkalim

Një çast... dhe ngjyrat fiken
Ajri mbetet varur ndër kapakë sysh
Akujt ftohtësi depërtojnë kurmit.
Errësira shtrin krahët ngadalë
në një tis të hollë …,
ku gjithçka tretet..
...në pafundësinë e qenies.

Format në mjegull
shkrihen papritur…
Deformohen rrugëtimit..
rishfaqen e zhduken...

Përhumbje e ëmbël..
në hapësira boshe të pavetëdijes …,
misterit
dhe të pathënës
kufirit të fundit,
ku dihatja drithëruar
shpirtin shtegëtar mbështjell…
Imazhi tjetërsuar,
vegim i zbehtë drite në shuarje
zëra të largët,
pasthirrmë e harruar.

Në pasqyrë universi projektohet shpirti
përthyer rrathëve të padukshëm
yjesh reflektim.
Përshfaqur në sekuenca vazhdimësie…
Dashurive rilindur
dhe dëshirash mëkatim
... në tejkalim të vetvetes
nëpër natë
me të vetmin kujtim.

Endemi,
mes asgjësë dhe pafundësisë
gjuhë gjurmësh të shkuara
grimca në përjetësi
… gjithmonë e më larg
për të kuptuar kufijtë...

DËRGOI: