>
LETERSISHQIP

Sa Here...

Sa herë
që stuhitë e jetës mblidhen vorbullave të shpirtit
e përplasen vrullshëm brigjeve të fatit
aty je ti,
në pritje të atij malli
përmbledhur kraharorit të rrahur nga erërat
njësoj si anija e Odiseut
endur ishujve të panjohur
për të arritur Itakën, që humbiste për çdo ditë para vështrimit.

Kur ndjej
egërsinë e botës shfaqur në fytyra të shprishura
syve që fshihen pas perdeve të tymta
helmuar shigjetave shikime,
ndaloj frymën
e zbres tejkohës
çastit të vetëm
që ndan kufijtë mes errësirës dhe dritës.

E pastaj lëshuar
me vela të lira kredhjes nëpër ujëra,
oqeanit,
ku ti frikën time fsheh,
pa ditur a do arrish një ditë
të prekësh atë imazh
që shkrihet bulëzimit re
e tretet bashkë me diellin.

Sa herë...