>
BIOSHQIP

Kush Blen Klikime, Gënjen Vetveten

14-10-2012
Pak javë më parë në spektaklin "E diela Shqiptare" u disktua dhe u paraqit një problematikë e ditur por e papublikuar më parë. Klikimet e rreme të artistëve është një trend që përdoret nga këngëtarë të ndryshëm, për të rritur artificialisht numrin e klikimeve të këngëve të tyre në You- Tube. Megjithatë sipas këngëtarëve kjo mënyrë stimulimi e famës është mjaft e dallueshme dhe kuptueshme. Por çfarë mendimi kanë vetë artistët në lidhje me këtë problematikë? Suplementi "THASH&THEM" ka pyetur disa nga emrat më zë të muzikës për të mësuar reagimet që ka patur publikimi në media i klikimeve të rreme. Një nga këngët e cila padyshim ka qenë ndër më të pëlqyerat e më klikuarat është "Mamica" e këngëtarit Klajd Haruni. Në një prononcim ai shprehet i habitur dhe përgjigjet me mjaft sarkazëm pyetjes nëse këto klikime janë të vërteta ose jo: "Çfarë thua?! Këto janë klikime të vërteta dhe reale ashtu siçdo këngë e "Threedots Production" duke përmendur këngën Flori Mumajesi "Me zemër", Elvana Gjata "Afër dhe larg" etj. Kam dëgjuar që blihen klikime por nuk më pëlqen si ide. Me to mund të gënjesh vetëm veten pasi të ardhura financiare nuk fiton, në koncerte nuk të marrin për klikimet në YouTube, pra mendoj së është një ego e tepruar e vetvetes,"- ka përfunduar Haruni. Ndërkohë një tjetër këngë e cila është mjaft e dëgjuar momentalisht është "DA DA DA" e këngëtares Xhensila Myrtezaj. Ajo gjithashtu është shprehur e indinjuar për çështjen e klikimeve të rreme dhe ka theksuar: "Klikimet në YouTube është mënyra më e mirë për të testuar sesa vlen një këngëtar, por ka edhe nga ata pseudo-këngëtar që blejnë të tilla klikime për të qenë në qendër të vëmendjes. Unë jam shumë e disponueshme që të hapet çdo video e imja dhe nëse gjendet një klikim i tillë atëherë jam e gatshme të heq dorë nga muzika,"-ka thënë Myrtezaj. Ndërsa këngëtarja kosovare Vesa Luma ka reaguar përmes faqes së saj në Twitter: "Turp për të gjithë ata që abuzojnë me videot muzikore... Muzika dhe dashuria janë dy gjëra që nuk shkojnë me zor... 'fake milion clicks' (miliona klikime false)",-ka shkruar këngëtarja. Nuk ka munguar as reagimi i këngëtarëve të mësuar me muzikën live siç është edhe Renis Gjoka. Ai është shprehur mjaft shkurt dhe qartë lidhur me qëndrimin e tij ndaj këtij fenomeni, duke pohuar se suksesi nuk blihet me para dhe se është kundër klikimeve fallco. Sipas këngëtares Kejsi Tola pseudo-këngëtarët të cilët realizojnë klikime të tilla janë mjaft të dallueshëmdhe kuptohen lehtësisht. "Fatmirësisht nuk më ka ndodhur ndonjëherë një keqkuptim i tillë, pasi përveç klikimeve të cilat shtohen kam dëgjuar edhe për raste ku këngëtarë të caktuar kanë ulur numrine klikimeve të të tjerëve, ky është me të vërtetë problem. Gjithashtu mendoj se pseudo-këngëtarë të tillë janë të dallueshëm,"-është shprehur duke ngritur një tjetër problematikë Tola. Edhe artistja Samanta Karavella ka theksuar se ky është një veprim mjaft i gabuar nga ana e këngëtarëve. Sipas saj pjesa më e madhe e këngëtarëve i shtojnë klikimet dhe madje edhe asaj i kanë propozuar diçka të tillë. " Kam refuzuar të jem pjesë e kësaj loje pasi dua të kuptoj sa më vlerëson publiku,"- përfundon Karavella. Shumë prej artistëve dhe këngëtarëve shqiptar shprehen kundër klikimeve të rreme por ajo çka duam të dimë është se kush e realizon blerjen e këtyre klikimeve?!
(Thash&them)

Kush Blen Klikime, Gënjen Vetveten