TEKSTESHQIP

Maksi Kulla
Dale Moj Të Them Dy Fjalë
Lyrics

Ndalu, moj, të them dy fjalë

Ndalu mike! ku po shkon
Këtë natë lyer me hënë?
S’jam i huaj, jam gjiton,
Dy fjalë zemre për t’i thënë

Ndalu, moj, hidhma vështrimin,
Nuk e sheh si qenkam tretur!
Kur të shoh nuk bëj dot trimin,
Për të ndalur, për të prekur.

Mos më shih, të lutem, vëngër,
Mos më përbuz që s’jam shik!
Siç ke ti, dhe unë kam ëndërr
Kam një shpirt, moj, jam fisnik.

Ç’t’ju bëj syve që kanë ngecur
Tek vështrojnë kurmin tënd,
Mos e merr me të përpjekur,
Moj e mira që më çmend!

Dale, moj, të them dy fjalë,
Mos hidh hapat me aq vrik!
Je ti që më ke vënë zjarrë,
Je ajo që mund t’ma fiksh.

Dale, moj, të them dy fjalë,
Mos merr rrugën me aq ngut!
Je e mirë, por s’je e rrallë,
Mbretëresha Hatshepsut*.

Ndalu, moj, të them dy fjalë,
Pa t’i thënë, mos më ik!
Kam një zemër, kam një zjarr
Paçka se nuk jam Sheik.

Dale, moj, të them dy fjalë
Të nxjerr mall, të shuaj zjarrë!