>
LETERSISHQIP

Tubim

Udhëhumbur, papikënisje
Nuk kuptoje nga do shkosh
Sikur Zoti të kish nisur
Shpirtin tim ta kërkosh
Befasisht më humbe rrugës
Thua ujkut i ik gjau!
E tunduar, shpirtlëkundur
Hidhërimi të përlau
Sapo dalë nga sarajet
Dhe e veshur si Hyjni
U drejtove horizontit
Dhe më the "më prit do t'vi"
More lodren në valixhe
Shpirtin tënd të tunduar
U drejtove nga tabelat
Timin shpirt për të kërkuar
Thua vije nga gojëdhënat
Apo ishe magjistare
Zbrite si lejlek i bardhë
Përmbi rrugën lajkatare
Në valixhe shpirti yt
Parpalitej nga ngushtimi
Ty të duhej një i dytë
Ishte pikërisht ky timi
A e gjeje dot drejtimin
Apo ndihmë kërkoje vallë
Thua engjëjt të drejtonin
Apo djajtë të digjnin zjarr
Nuk t'u desh shumë kohë të vije
Se tubimi kish filluar
Hape me një dorë valixhen
Nxore shpirtin e tunduar
Pa fillove të zvarritesh
Udhën time të kërkosh
U mundove, u mundove
S'je si unë, të dashurosh
Por ti prap nuk hoqe dorë
Fort bërtite si e marr'
Sikur Zoti të kish nisur
Të tuboje timin varr.

DËRGOI: