>
BIOSHQIP

Mihrija: “Ndërhyrjet Plastike I Kam Lënë Për Më Vonë”

22-03-2014
E gjendur gjithmonë në kritika për pamjen e saj, këngëtarja e mirënjohur Mihrije Braha, e cila magjeps publikun me bukurinë që rrezaton edhe pas të 40-ave, është munduar të arsyetojë në një intervistë dhënë së fundi se te trupi i saj nuk ka asnjë ndërhyrje kirurgjikale, madje tregon se ka frikë t’i bëjë ato, por edhe se ka frikë plakjen.



Si e sheh veten teksa ikin vitet dhe a e pranon si ndonjë gjë të lehtë dhe spontane? Normalisht që nuk është diçka e lehtë. Ka momente të caktuara kur njeriu lodhet pa gjumë dhe, përveç organizmit, edhe në fytyrë vërehet lodhja. Kur shikohesh në pasqyrë, e ndien veten të lodhur dhe të zbehur, nis edhe mendon diçka në këtë drejtim. Është shumë normale, por sido që të jetë, nuk kam trishtim. Njeriu duhet të përgatitet për ligjin e natyrës. Sado që nuk na pëlqen, plakja do të ndodhë. Në momentin që e shoh se po më mund, po më tejkalon apo po më vret ky ndryshim si ligj i natyrës, atëherë do ta kërkoj mënyrën për ta tejkaluar. E këtë do ta bëj ose te psikologu, ose me ndërhyrje. Ndoshta kjo është e mira ime, që gjithmonë e kërkoj zgjidhjen pozitive opsionale në bazë të kushteve që jetoj. Dhe besomëni, nëse e kërkon njeriu një zgjidhje opsionale, edhe e gjen.



Po për muzikën çfarë hapash po bën Mihrija? Sapo kam realizuar videon e re të këngës, si dhe kam vendosur të realizoj një tjetër këngë ritmike verore. Këngën e kam realizuar para Vitit të Ri, por pasi e pashë se po pëlqehet, vendosa t’i xhiroj edhe videon. Kurse për sezonin e verës kam një këngë me ritëm veror, por që ka edhe pak kohë për realizim.



E ndërkohë që ju kanë akuzuar gjithnjë për pamjen e re, se keni bërë ndërhyrje kirurgjikale… Nëse dikush mendon se unë kam kryer kirurgji plastike dhe nuk po tregoj, besomëni që janë të gabuar. Nuk e kam bërë ende. Por në momentin që më mbushet mendja se s’po dukem mirë, dhe nuk do të ndihem mirë prej plakjes si ligj i natyrës , atëherë mund të vendos dhe nuk jam absolutisht kundër ndërhyrjeve. Mund të them se nuk e pranoj te vajzat e reja ndërhyrjen e hershme, sepse gjithmonë ekziston rreziku për më vonë se si do të përballohet. Unë e kam operuar dorën e majtë para disa viteve, për shkak se kam pasur një problem me një gjëndër yndyrore dhe, çfarëdo ndërhyrjeje që bëhet, nevojitet momenti i fundit për të vendosur. Nuk është e lehtë të marrësh një vendim të tillë, sepse është ndërhyrje, prandaj unë ende nuk e kam parë të arsyeshme të kryej ndonjë operacion plastik. Por vajzat e reja më befasojnë vërtet. Nuk e di nëse ato janë shumë të informuara që vendosin aq lehtë për një ndërhyrje, ose nëse jam unë e gabuar.
(Panorama Plus)

Mihrija: “Ndërhyrjet Plastike I Kam Lënë Për Më Vonë”