>
BIOSHQIP

Mimoza Selimi: “Po ç’janë Këto Turpe Moj Aida Shtino?!”

11-06-2014
​Aida Shtino të gjen fëmijë, edhe po s’pate fare. Këngëtarja, Mimoza Selimi, denoncon drejtuesen e emisionit “Njerëz të Humbur” për abuzim dhe shkaktim shqetësimi tek ajo dhe të afërm e të njohur të saj.

Gjithçka ka ardhur pasi në emisionin e së enjtes së kaluar, të Aida Shtinos në RTVSH, është denoncuar “rasti” i Mimoza Selimit sikur ajo të ketë braktisur fëmijën e saj, e cila po e kërkon.



Por Mimoza Selimi shpreh habi duke theksuar se ajo as që ka fëmijë. “Nuk kam patur asnjëherë fëmijë, nuk do e braktisja kurrë”. Ajo thotë se shumë njerëz “panë emisionin “Njerëz të Humbur” drejtuar nga gazetarja Aida Shtino që përlyen emrin tim duke më bërë nënë qe braktis fëmijën, pa patur fëmijë asnjëherë. Është skandaloze, aspak profesionale, përdorja e emrit tim”- shkruan këngëtarja në profilin e saj në Facebook.

Mimoza thotë se “është naivitet i pafalshëm për një gazetare që për të bëre shou e të tërheqë sa më shume publik, të përdorë emrin e qytetareve aq më tepër kur janë persona publikë, pa menduar fare për demin moral e shqetësimin që i krijon”.



“Aida Shtino nuk i përgjigjet mesazheve të mia, sepse e di shumë mirë që po bën thjeshtë shou me fatkeqësinë e një vajze që kërkon nënën e saj, dhe duke përlyer në mënyrën më skandaloze emrin tim”.

Më tej Mimoza shton: “Të besosh qe jam nëna e dikujt vetëm pse ngjajmë, e ta thuash këtë para mijëra e mijëra telespektatorëve që e ndjekin emisionin, nuk është naivitet, është keqdashje”.

Selimi më tej ironizon: “Unë me kohë duhet t’i kërkoja Elizabeth Taylor, që të më njihte si vajzën e saj sepse i ngjaj!”.



Kurse më pas i drejtohet direkt Shtinos: “Po ç’janë këto turpe moj Aida Shtino?!”.

Këngëtarja thotë se ndjen keqardhje për “atë vajze qe kërkon nënën e saj” dhe shton: “Është e dhimbshme, por për hir të Zotit mos e fusni në qorrsokak duke përdorur emrin tim. Ndihmojeni të gjejë nënën e vërtetë, e vetëm atëherë do të ndjeni kënaqësinë që u jep profesioni i mrekullueshëm i të qenit gazetare e realizimin e misionit shumë fisnik për të ndihmuar njerëzit të gjejnë të afërmit e tyre”. Mimoza Selimi thotë se pret falje publike nga Aida Shtino dhe “një gjest qytetarie për të mos besuar në keqdashje”
(Express)

Mimoza Selimi: “Po ç’janë Këto Turpe Moj Aida Shtino?!”