>
BIOSHQIP

Ronela Hajati: Macja E Zezë Më Ka Ndjekur Gjithmonë

28-05-2013
Ronela Hajati, këngëtarja me zërin bombë, që çdo herë sjell krijime edhe më cilësore për tregun shqiptar, rrëfen në këtë intervistë për “Bluetooth” projektin e saj të fundit, “Malagata”, që në shqip përkthehet “Macja e zezë”. Pse kjo këngë, pse kaq vonë me një klip, pse kjo fabul dhe dhjetëra ‘pse’ të tjera, të cilat do të marrin përgjigje nga Ronela, në këtë intervistë të sinqertë për faqet e së shtunës. Vajza simpatike me trup të kolmë rrëfen gjithashtu amanetin që i la i ati, gazetari dhe publicisti Marash Hajati, përpara se të ndërronte jetë…



Ronela, sapo ke publikuar klipin tënd të parë, të titulluar “Malagata”. Pse kaq vonë me një klip?
Sepse nuk i kam pasur mundësitë për të realizuar atë që unë do doja, pasi, edhe kur produksionet janë ofruar për të më bërë një klip pa para, ideja ime ka qenë shumë e çmendur dhe ata janë tërhequr… Nuk do doja që klipi im të ishte i zakonshmi i radhës.

E kujt ishte ideja për këtë klip?
Ideja natyrisht ishte e imja, por më vonë u përshtat shumë mirë nga regjisorët e “Max Production” dhe i tejkaloi pritshmëritë e mia. Bëmë të gjithë një punë shumë të mirë, duke filluar nga aktorët e deri tek njerëzit që qëndronin në backstage.

Pse me dy meshkuj në klip, pse kjo fabul?
Megjithëse shumë pak e pranojnë, ky është realiteti në të cilin jetojmë. Kemi djem e vajza, gra e burra, që çdo javë bëjnë performancën e radhës me partnerin e ri në club-et e kryeqytetit. Natyrisht, në klip ideja është hiperbolizuar paska, po ku do të qëndronte artistikja pastaj!?

Sa kohë ke që punon për këtë këngë?
Ka më shumë se pesë muaj që punojmë për këtë këngë. Donim të sillnim diçka të veçantë për tregun dhe besoj se ia dolëm.

Cilat kanë qenë komentet që keni marrë?
Kjo është kënga e parë ku unë kënaqem pafund nga komentet pozitive. Natyrisht që nuk kanë munguar as ato negativet, sepse shqiptarët nuk e pëlqejnë kurrë një gjë 100%, por jam vërtet
shumë e lumtur për suksesin e këngës.

Çfarë të kanë thënë kolegët?
Ata me të cilët jam në kontakt të vazhdueshëm më kanë përgëzuar për punën e mirë. Natyrisht ka pasur edhe kritika, ose më mirë do t’i quaja këshilla, që do të më ndihmojnë mua të përmirësohem.

A ka ndikuar klipi në rritjen e ofertave për koncerte?
Sigurisht që ka ndikuar, sepse sado i mirë të jetë një këngëtar, në rast se nuk ka hapësira për t’u promovuar, shumë pak i bie në mend pronarëve të club-eve për ta ftuar. Sot p.sh. do të jem në Durrës.

Sa të vështirë e pate rikthimin në sheshxhirim pas fatkeqësisë që të ndodhi?
Nuk e kam pasur shumë të vështirë, duke qenë se pjesët e vetme që më kishin mbetur pa xhiruar ishin ato me lot, ku duhej të çirresha, të bërtisja, gjë që s’e kisha të vështirë pas humbjes së babit. Isha shumë e ngarkuar emocionalisht dhe mjaftonte një arsye e vogël që unë të shpërtheja në lot. Pjesët e tjera i xhirova ndërkohë që babi ishte me mua. Ai ishte shumë entuziast për këtë klip.

Cila është porosia që të ka lënë babi, Ronela?
Puno! Kjo është fjala që s’do ta harroj kurrë. Gjithmonë më këshillonte të punoja, sepse vetëm kështu, më thonte, mund të arrish rezultatet që kërkon. Dhe fakti është që, gjithçka kam në jetë e kam falë punës intensive.

A është Ronela edhe në jetë një vajzë e keqe?
Ronela në jetë është komplet e kundërta e asaj që është në klipe dhe në skenë. Në muzikë hedh gjithë atë që është në subkoshiencën time.



A të ndjek ty macja e zezë?
Në fakt ajo ka qenë bashkudhëtare në jetën time bashkë me mua, ndaj dhe vendosa t’i kushtoj një këngë (qesh). Më është dashur të derdh shumë mund për të arritur gjërat që kam dashur. Ndonjëherë, kur kisha lehtësi në ndonjë punë, s’e besoja, thoja me vete: mua po më ndodh kjo (qesh)?

Dashuria, si po shkon?
Dashuria është një mace edhe më e zezë (qesh). Nuk ka të reja, jo, mos u lodhni kot.
(Bluetooth)

Ronela Hajati: Macja E Zezë Më Ka Ndjekur Gjithmonë