>
BIOSHQIP

Sheila Haxhiraj: Shume Prane Realizimit Te Nje Endrre

09-06-2012
Sheila, Xhesika dhe Kristo janë tre finalistët e edicionit të parë të "X Factor Albania". Të tre aspirojnë fitoren. Të tre kanë arritur të prekin ëndrrën e madhe, të performojnë në një skenë të madhe, të pëlqehen dhe të marrin vlerësimin e publikut. Kanë bërë mjaft fansa dhe kjo është arritje mjaft e madhe. Mirënjohës, për gjithçka ka përjetuar deri më tani, Sheila ndan emocionet e saj para natës së madhe të 10 qershorit, ku edhe do të shpallet fituesi i X-Factor Albania!

Si ndiheni që jeni në finalen e "X Factor Albania"?
Sheila: Pas atij rrugëtimi të gjatë dhe gjithë asaj pune të lodhshme së bashku me produksionin dhe të madhen Vera Grabocka, ndihem e lumtur dhe e vlerësuar që jam pjesë e 3-shes finaliste.

Kishte momente që keni hezituar se nuk do të arrinit deri këtu?
Sheila: Është një eksperiencë mbresëlënëse, e paharrueshme, është një shkollë që rrit dhe nxjerr në pah talente të reja.

Cili është kujtimi më i bukur që do të merrni me vete?
Sheila: Gjithçka për mua aty është e bukur, të punosh me stafin dhe krah Vera Grabockës është fat, të njihesh me shokë dhe miq të rinj që i vlerësoj të gjithë si shokë dhe si talente, e të kesh pranë një mentore shumë të talentuar dhe të palodhur si Juliana Pasha, të jesh pjesë e 3 finalistëve, për mua të gjitha këto do të jenë një kujtim i paharruar në jetën time.

Cila ka qenë nata më e vështirë për ju?
Sheila: Një ndër netët më të vështira dhe emocionuese për mua ka qenë momenti i show-down-it kur unë ndodhesha përballë Liries.

Nëse e fiton "X Factor" çfarë do të thotë për ju?
Sheila: Të jesh fituese e "X Factor" të parë shqiptar për mua do të thotë të realizoj ëndrrën time, për të qenë një artiste e kompletuar e skenës shqiptare dhe pse jo e asaj ndërkombëtare.

Nëse nuk e fitoni si do të ndiheshit?
Sheila: Unë mendoj që të 3 finalistët janë të fituar, pasi kanë marrë shumë nga përvoja dhe puna që bën produksioni në TV Klan, tashmë unë kam krijuar imazhin tim, ndihem e sigurt në skenë dhe e vlerësuar nga publiku.

Çfarë do të bëni pas "X Factor"?
Sheila: Kam shumë plane dhe shpresoj t'i realizoj.

Kujt ia dedikoni këtë sukses?
Sheila: Së pari talentit dhe punës sime së bashku me Julianën, mbështetjes dhe përkrahjes që më ka dhënë familja dhe miqtë e mi.

Çfarë emocione keni përpara se të dilni në finale?
Sheila: Emocioni është i madh dhe shumë i fortë, shpresoj (do Zoti) të bëj një paraqitje të mirë vokale dhe skenike për të arritur fitore.
(Ilda Lumani Koha Jone)

Sheila Haxhiraj: Shume Prane Realizimit Te Nje Endrre