>
BIOSHQIP

Sheila Haxhiraj, Gjimnazistja Që Fitoi X-Factor

14-06-2012
18-vjeçarja Sheila Haxhiraj pas një rrugëtimi të gjatë muzikor fitoi vendin e parë në garën muzikore të "X-Factor Albania" në TV Klan, garë në të cilën morën pjesë rreth 5 mijë konkurrentë nga Shqipëria dhe trojet. Ky çmim i rëndësishëm, i dha mundësi Sheilës të nënshkruante një kontratë me producentë si "Berman Brothers" dhe ndoshta jeta e saj tani do ndryshojë përfundimisht.

Sheila është një gjimnaziste që nuk ka studiuar ndonjëherë muzikë me mësues, por që e vogël ka rendur skenave të muzikës në shumë konkurse midis shkollave 8-vjeçare, tek "Gjeniu i vogël", "Promozone festival", protagoniste në filmin " Fluturim Pasioni" në moshën 16 vjeçare. "E megjithatë, pasioni im është mzuika, jo filmi" – thotë maturantja e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi".

Sheila, mendoni se pasioni juaj për muzikën është ndikuar nga ambjenti ku keni jetuar?

Besoj se ka qenë thuajse i lindur, sepse kisha dëshirë që në fëmijëri për të kënduar. Por edhe prindërit më kanë shtyrë të ndjek këtë rrugë. Përsa i përket "X Faktor" unë nuk kam studiuar për muzikë si ndonjë prej konkurentëve të tjerë dhe mendoj se puna e madhe e Juliana Pashës e ndikoi këtë arritje. Muzika është pasioni, relaksi dhe ushqimi im shpirtëror, por Julianën gjej rastin ta falënderoj për gjithë punën e madhe që ka bërë me mua.

Ju jeni ende nxënëse. Keni patur vështirësi me shkollën gjatë kësaj kohe?

Sivjet unë jam maturante në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja " Asim Vokshi" dhe natyrisht ishte e vështirë të ishe e impenjuar njëkohësisht edhe në shkollë me provimet edhe në një program si X-Factor ku më duhej që gjatë javës të përgatitesha njëkohësisht për 2 këngë. Kishte raste sidomos netët e fundit ku numri i konkurrentëve u reduktua duhet të përgatitesha edhe për 3 këngë.

Dhe cili ishte momenti më i vështirë gjatë netëve të X-Faktorit?

Momenti më i vështirë ishte ai kur dola në "Shou Daun" me Lirijen. Ishte një moment ankthi dhe frike, sepse mendova për një çast se ëndrra ime u pre në mes. Por, për fatin tim të mirë e gjitha kaloi me sukses.

Ju spikasni për pamjen dhe paraqitjen skenike. Mendoni se kjo ju ka favorizuar?

Mendoj se në një garë muzikore natyrisht që primare është zëri. Gjithsesi unë mendoj se kur del në skenë duhet edhe të interpretosh, të performosh, të përcjellësh emocione tek publiku. Një paraqitje e denjë skenike është e domosdoshme. Kur merr vlerësim nga publiku dhe profesionistët, e merr për të gjitha këto.

E megjithatë në rrjetet sociale ju keni qenë disi e "sulmuar". Si e komentoni këtë gjë?

Ka shumë shprehje popullore në kundërpërgjigje që nuk dua t'i citoj për arsye të ndryshme, por do t'ju them diçka që më ka mbetur në mendje. Dikush kishte studiuar për muzikë qysh në klasë të parë. Për 16 vjet rresht, kishte investuar shumë në këtë profesion. E megjithatë kur kompozonte një këngë apo pjesë muzikore disa njerëz ishin kritikë dhe disa e pëlqenin. E bëj këtë krahasim sepse dihet që do ketë kontestime dhe vlerësime si në çdo fushë. Unë jam Sheila, një vajzë e thjeshtë që fitoi kompeticionin e parë të X Factor, kaq. Ndihem e lumtur dhe po e shijoj fitoren në maksimum. Shumë njerëz në rrugë më takojnë, më komplimentojnë dhe urojnë.

Ka Sheila një model të preferuar në skenën shqiptare dhe atë botërore?

Nga këngëtarët shqiptar do të veçoja Juliana Pashën për zërin e saj potencial, ndërsa përsa i përket muzikës botërore do të veçoja Xheisi Jey dhe Beyonce për vokalin dhe paraqitjen skenike.

Cila është rryma muzikore në të cilën e gjen veten?

Unë kam provuar të këndoj çdo lloj rryme muzikore, por gjithsesi mund të veçojë baladat ato më pëlqejnë më shumë.

Një kontratë me producent si "Berman Brothers"… Cilat janë planet e Sheilas për të ardhmen?

Padyshim që kontrata me "Berman Brothers" është një shans i madh por edhe një punë impenjative e madhe, pasi ata janë një produksion i fuqishëm. Përsa i përket të ardhmes kam dëshirë të vazhdoj "Universitetin e Arteve" dega muzikologji ose dramaturgji dhe shpresoj të kem ftesa bashkëpunimesh me këngëtarë shqiptarë.
(Majlinda Bushja Gazeta Shekulli)

Sheila Haxhiraj, Gjimnazistja Që Fitoi X-Factor