>
BIOSHQIP

Sheila Haxhiraj: Falenderoj Fansat Që Më Dhanë Fitoren

18-06-2012
Konsiderohet e talentuar, e bukur, me një paraqitje skenike të veçantë dhe vajzë që punon shumë. Të gjitha këto cilësi bënë të mundur që ajo të shndërrohej në fituesen e një 'talent-show' të suksesshëm si "X Factor". Sheila Haxhiraj tregon ata njerëz që e ndihmuan për të fituar. Kur more vendimin për të bërë audicionin e "X Factor", ëndërroje që mund të fitoje? Natyrisht që jo. Unë thjesht kisha dëshirë të këndoja. Mendova që skena e "X Factor" ishte një mundësi për t'u promovuar dhe për të nxjerrë në pah talentin dhe aftësinë e çdo konkurrenti. Theksoj që konkurrenca ishte e madhe dhe e fortë, por gjithashtu edhe dëshira e ambicia ime për të qenë në finale. Sot jam e lumtur që arrita këtë fitore. Kujt ia dedikon këtë fitore? Së pari televizionit "Klan", produksionit të "X Factor" me në krye të madhen Grabocka, që na dha mundësinë të shpalosim talentin e të promovohemi, talentit dhe punës sime të palodhur dhe të mentores sime Juliana Pasha, si edhe familjes, miqve e gjithë publikut që më ka mbështetur dhe votuar. I falënderoj pafundësisht të gjithë! Kur ka qenë dalja jote e parë në skenë? Si i përjetove duartrokitjet e para? Për herë të parë kam dalë në skenë në moshën 11-vjeçare, në "Festivalin e zërave të rinj" për fëmijë. Si çdo fëmijë ndjehesha e lumtur që duartrokitesha nga publiku. Të ndalojnë njerëzit në rrugë? Çfarë të thonë? Po, ndihem e lumtur kur shumë njerëz në rrugë më urojnë dhe më komplimentojnë. Të pëlqen që tani je bërë vajzë e njohur? Të jesh person publik të bën të ndihesh e lumtur pa dyshim, sidomos në rastet kur merr komplimente dhe urime nga njerëz të ndryshëm, por gjithashtu mendoj se fakti i të qenit në vëmendje të njerëzve të vë në siklet, pasi gjatë gjithë kohës duhet të jesh e kontrolluar dhe nuk ndihesh e lirë. Po shoqëria jote, si po reagon me famën tënde? Të ngacmojnë? Natyrisht që jo. Janë "ngacmime" pozitive. Jam e bindur që dhe ata janë të lumtur njësoj si unë, janë përkrahja dhe mbështetja ime. Je bërë gjë mendjemadhe? S'ka arsye të jem e tillë. Kur njerëzit më urojnë dhe komplimentojnë, ndihem e lumtur dhe gjithë kjo mirësi e vlerësim që më japin është si një monedhë që kthehet nga unë me thjeshtësi, mirësi dhe një falënderim të pafund për të gjithë. Po tani si e parashikon karrierën tënde? Të kanë ardhur oferta për koncerte gjatë verës? Faktikisht unë kam një kontratë me "Berman Brothers" dhe vazhdoj akoma të menaxhohem nga stafi i "X Factor". Shpresoj të kem një hit veror për të dalë në tregun shqiptar. A shqetësohen prindërit e tu nga fama jote? Të lejojnë të lëvizësh vetëm? Prindërit e mi janë si të gjithë prindërit e tjerë. Ata jetojnë me gëzimet dhe shqetësimet e mia... Kam mbështetjen dhe besimin e tyre maksimal. Po të dashur ke? Momentalisht jam single. E gjithë vëmendja ime është e përqendruar tek shkolla dhe karriera e porsa nisur. Na e përshkruaj me pak fjalë eksperiencën tënde në "X Factor"... Është një eksperiencë e paharruar, që do të mbetet gjatë në kujtesën time. Njohja me shumë shokë dhe miq, njohja me gjithë stafin e "X Factor"-it, puna e palodhur e të gjithë konkurrentëve dhe e imja së bashku me mentoren time, Julianën, për muaj të tërë, ato emocione të forta që kemi kaluar dhe së fundmi kurorëzimi i fitores time, bëjnë që "X Factor" të jetë një kujtim i paharruar në jetën time. Kudo të jem, do të kthej kokën pas dhe do të kujtoj gjithmonë me nostalgji atë skenë, si një fillim të suksesshëm të karrierës sime të re artistike.
(Express )

Sheila Haxhiraj: Falenderoj Fansat Që Më Dhanë Fitoren