>
LETERSISHQIP

Spac

Në kujtim të Koç Papës dhe Gëzim Çelës, që i mbijetuan këtij Ferri
Spaç…
Tregomë ç’të duash, nuk kam më lot,
Po prapë s’m’i çlodhe kurrë mendimet.
Kujtimi yt Zotin s’ma ndot
E as më nxit në shpirt mallkimet.
Ndonëse më ngjan një tjetër Ferr,
Pa Ugolin e pa Ruxher*.

Spaç…
Një rreze dielli si prangë e zjarrtë,
Poeti ndrydh një shkulm prej vreri.
Qielli më ngjan - rrasë e acartë,
Mali - njëlloj kupolë bunkeri.
E prapë më dukesh tjetër Ferr,
S’ka Ugolin, s’ka as Ruxher.

Spaç…
Me Danten erdhëm dorë më dorë
E hëngrëm bukë me vesë pranvere.
Mbi ca gërmadha vumë kurorë,
Na ngrinë buzëqeshjet dhe kësaj here.
Se na u duke Ferr mbi Ferr
Edhe pse s’kish Kont e Ruxher.

Djall…
Hëngre tët bir si t’ish mëshqerë,
Ndaj duan të t’i fshijnë dhe shkronjat.
Po qumësht’ i nënës kurrë s’do t’shterrë,
Në mur, pa yll, gdhëndur shqiponjat.
E prapë më ngjan Ferr përmbi Ferr,
Ku qenkan bashkë Kont e Ruxher,
Që hanë vetveten këtë herë.
*Kont Ugolini dhe Peshkop Ruxheri,
personazhe të “Ferri”-t (“Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit.)