>
LETERSISHQIP

Me Kot Ne Mesnate

Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej,
Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?
Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej
Dhe veten pa ty ç’e ndiej fillikat.

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,
Kalldrëme, hotele dhe prapë s’ po të gjej.
Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.

Bares përmes parkut si të isha fajtor
Bosforit aromën ia thith gjer në fund
Sa dua të të gjej me qiriun në dorë
Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.

E shtrihem mbi stolin e vjetër në park,
Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh.
Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg
Veç ty me qiriun në dorë nuk të shoh.

E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund,
Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.
Do të desha që flakë e qiriut t’ i mundë,
Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.