>
LETERSISHQIP

Shatervani

Ej plako, ike?..E ke me tërë “men”?
S’bëhet shaká me pushtetin…
Fundja, “ i deklasum” tërë kohës ke qenë.
Kishe lindur, dikur, shok me mbretin.

Kishe vite, lëngoje, vite sëmurë,
Erdh ora të ikje, vërtet.
“Prostata” tashmë ish përhapur në gur,
Ndaj ujin s’e hidhje përpjetë.

Tharë t’i kishin indet: etje qelish.
Ngushtuar t’i kishin dhe zorrët.
Folé ishe bërë, mushkonjash dhe minjsh.
Për ty, tashmë, mbaruar qenë orët.

Them me vete: Më ka “ik truni”, plako:
Si s’të shpallen fisnikëri të qytetit?...
Po të vunë në rreth e të ngritën në tako,
Si të ishe i egri armik prej vërtetit.

Të huaj të shkelën, u “bone” i ngrirë.
Bombat angleze për fat nuk të vranë.
Në vite provove diktaturë të vështirë,
Po njerëz pushteti kurrë nuk të nganë.

Veç gojën e qepe, nuk fole një herë.
Ndaj dhe shpëtove nga shfaqja e huaj.
Tani po të shesin si mall të pavlerë,
Ndërsa unë jetimi i ftohtë vetëm vuaj.

Ti nga ajo kohë, kështu mbete, pa vrarë,
Po besoj të sotmit mos shkojnë gjer ketu.
Ndoshta dënim më të lehtë të ka ndarë:
Internim në një qoshe, në hije, diku.

Do të vij pas teje, sikur dhe në hënë.
Më ka “lujt truni”, plako, ta dish.
Se akoma ke, kaq shumë për të thënë,
Ndaj çdo ditë që kalon më tepër më grish.

Erdh mbrëmja. Ul qielli siparin e trishtë.
Në heshtje kaplon trishtimi çdo cak.
Ndonëse banorët janë bërë të dyfishtë,
Tashmë do të kemi më pak një durrsak.