>
LETERSISHQIP

Nese

Nëse bota qan a qesh pa drojë në sytë e tu,
Nëse koha s’ndalet dhe di të ecë veç kuturu.
Nëse shtjella e erës s’di nga vjen e s’di ku shkon,
Nëse vjen një ditë dhe befas ëndrra të harron.
Merre poezinë time, o njeri, e fute thellë në shpirt
Dhe rrugës tënde ndalu, qoftë edhe një çast.
Në mundsh, prapë në këmbë përbuze ti çdo flirt.
Do t’ia fitosh kësaj jete dhe më të shtrenjtin bast:

Kësaj botës sonë që rrokulliset në hapësirë,
Shpëtoja dashurinë sado ta kesh vështirë.

Nëse balta të vërtetën rreket ta mbulojë.
Nëse buka të mungon e në shtëpi presin ca gojë.
Nëse zemra s’gjakoset, se gjaku është ngrirë.
Nëse trupi e ka vrarë dhe shpirtin tënd të mirë.
Merre poezinë time, o njeri, e fute thellë në shpirt
Dhe rrugës tënde ktheu, qoftë edhe një çast.
Në mundsh, prapë në këmbë përbuze ti çdo flirt
Do t’ia fitosh kësaj jete dhe më të shtrenjtin bast:

Këtij shekulli që hiqet zvarrë në pafundësi,
Shpëtoja dashurinë në do në shpirt qetësi.