>
LETERSISHQIP

Bretkosat

I tha ai atij:
Eja sonte për darkë! Më tetë, të pres!
Kemi krahë e këmbë bretkosash sonte,
ushqyer me vesë.
Bretkosat, të varfërve u ngjajnë
Krahë e këmbë i kanë më të mirat pjesë.
Eja! Kënaqësi gjer në mëngjes…

Iu ktheva varfërisë sime:
Kaq e paskan humbur dhe të fundit
Pikë gjak?...
Kujtojnë se do të na bëjnë një ditë
Njerëz prej druri, burracakë?...
Të hamë krahë e këmbë bretkosash
Në qofshin dhe farmak?…

Do të kalojnë, qindra, qindra vjetë…
Dhe për poetin,
Të tilla darka kurrë nuk do të ketë.