>
BIOSHQIP

Adelina Ismaili, E Kopjuar, E Imituar, E Dashur Dhe E Përfolur

30-06-2012
Do të mjaftonte një dalje në festival që Adelina Ismajli të fitonte statusin e ikonës! E kopjuar, e imituar, e dashur apo e përfolur prej 20 vitesh ajo është e vetmja që gëzon statusin e divës se pop-it në trojet shqipfolëse!

Prej 10 vitesh, Adelina nuk ka shkelur në televizionet shqiptare përjashto këtu një dalje ose më saktë një hyrje në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, në "Big Brother Albania".

Intervistat e saj kanë qenë shumë të rralla, për të mos thënë inekzistente, por në këtë dekadë shtypi roze e ka dashuruar Adelina Ismajlin si asnjë këngëtare tjetër!

Kopertina revistash dhe faqe të para me shumicë në çdo fundjavë! Turbullirat në jetën e saj personale nuk e kanë zbehur aspak yllin e saj profesional!

Megjithatë, Adelina në Shqipëri nuk këndon prej aq shumë kohësh sa me siguri brezi që frekuenton sot diskotekat apo lokalet nuk e ka parë kurrë në skenë, ndonëse është e pamundur të gjesh njeri që të mos njohë emrin e saj.

"Miss Kosova" e 1997-s ka ngjallur kuriozitet me jetën e saj personale dhe sukseseve në karrierë. Ka intriguar me performancat provokative e me karakterin pikant.

Historitë e saj të dashurisë kanë zëvën gjithmonë vendin e merituar në shtypin e shkruar, por Adelina vazhdon të jetë e përqendruar gjithmonë tek profesioni. Për të folur rreth kësaj dhe gjithçkaje tjetër në jetën e saj private, "diva" e popit mbërriti në studiot e Emisionit të Pasdites në "Top-Channel", në një intervistë ekskluzive dhe të gjatë që kurorëzoi me sukses një sezon të plotë emisionesh të pasditesh, të mbyllur ditën e premte deri në rihapjen e sezonit të ri në shtator.

Tch: Adelina, mirëserdhët në studio. Si e gjeni Tiranën këtë herë?

Adelina - Kam qenë përpara pak kohësh me punë private dhe sa herë që vij është gjithmonë e më e bukur si qytet, por janë miqtë dhe njerëzit ata që e bëjnë një vend të bukur ose jo. E vërteta është se nuk kam shumë miq në Tiranë, por rëndësi ka sasia dhe jo cilësia.

Tch: Çfarë bëni tjetër veç punës kur vini në kryeqytet?

Adelina - Zakonisht vij vetëm për punë, por kuptohet, atë kohë të lirë përpiqem ta kaloj përkrah miqve dhe mikesha të mia.

Tch: Nuk ju kemi parë prej kohësh në ekran. Çfarë ka ndodhur me ju?

Adelina - Janë shumë vite në pyetje dhe do të mbetemi pesë ditë këtu nëse do t'i shpjegonim me detaje. Nuk e di nëse mund të quhet shkëputje në Shqipëri, ku nuk kam qenë aktive në mediat vizive, por mediat e shkruara i kanë përcjellë aktivitetet e mia. Pas shpërnguljes sime nga Kosova në Zvicër kam pasur një bashkëpunim me një dj shumë të njohur në Zvicër dhe kemi bërë një këngë tradicionale, potpuri këngësh, të Shqipërisë së Mesme, në rrymën house, që korri shumë sukses pas lëshimit të saj në shtetet e tjera ku ka shqiptarë. Pasrtaj kam bërë një duet me një këngëtar franko-algjerian. Me pak fjalë, shumë bashkëpunime e kontrata pa fund, për të cilat nuk është gjithmonë interesante të flasësh.

Tch: Gjatë këtyre viteve të zëna me aktivitete ndërkombëtare, a keni menduar për Shqipërinë?

Adelina - Nuk do të isha këtu nëse s'do të kisha menduar. Kisha fiksim të kthehëesha në një formë, ndonëse kanë ardhur breza të rinj që kanë dëgjuar legjenda urbane për mua, ose kanë dëgjuar nga prindërit dhe fundja kam një nostalgji dhe dëshirë të madhe për t'u rikthyer aty ku kam bërë kalimin e madh nga adoleshenca në rini.

Tch: Adelina, një jetë që e vogël në skenë. A ka qenë e vështirë për ju?

Adelina - Jo. Mbase ngaqë nuk njoh jetë tjetër jetë dhe nuk më duket e vështirë, edhe pse kam dëshiruar gjithmonë një jetë të zakonshme dhe normale, mbase ngaqë se kam pasur kurrë. Kam admiruar fshehurazi jetën e një njeri të thjeshtë, që ulet përpara televizorit dhe bën thashetheme. Por, kur nga mosha 6-vjeçare futesh në festivale jugosllave, mëson që televizorin ta shohësh jo thjeshtë për argëtim, por edhe për të thithur mençuri apo kualitete të personave që sheh në të. Është diçka e ndryshme nga bashkëmoshataret e mia që atëherë thjesht argëtoheshin.

Tch: Si një person tejet publik, si përpiqesh të ruash atë pjesën tënde personale?

Adelina - Bëj shkëputjen sepse janë 26 vite në pyetje dhe nuk do të mund të mbijetoja ndryshe, edhe pse kamera di të jetë edhe një sabotazh për jetën dhe njeriun faktikisht. Shkëputem automatikisht, sepse gjithmonë kam të qartë që përparësore është lumturia ime, shëndeti i dhe jeta ime. Është me të vërtetë kështu, ndonëse si shprehje është një klishe që e thotë çdo njeri i famshëm që del përpara kamerave.

Tch: Megjithatë, duhet të jetë e vështirë të shkëputesh nga jeta profesionale aq thjeshtë, kur je një person publik i këtyre përmasave.

Adelina - Jo nuk është aspak e vështirë sepse vjen një moment kur nuk mundesh më. Të jesh qendra e vëmendjes për 26 vjet bën që gjithçka të teprohet dhe të merr malli të jesh thjesht një njeri si të gjithë të tjerët. Zvicra më ka ndihmuar për këtë. Zviceranët janë njerëz që shikojnë punët e tyre dhe në Zvicër nuk isha aspak e njohur fillimisht, ndaj mund të merrja frymë lirshëm.

Tch: Si është marrëdhënia juaj me mediat shqiptare? Shumë thashetheme janë thënë edhe këtu.

Adelina - E kotë të komentohen thashethemet, por më duket normale që mediat shqiptare ka përcjellë atë që është transmetuar dhe përfolur në Kosovë. Thashethemet krijohen në Kosovë, ku janë formuar brutalitete, gënjeshtra që i kam dhënë me prova që nuk kanë qenë kështu. Unë nuk doja të merresha me to sepse nuk e besoja që njerëzit e besonin seriozisht dhe unë si vë faj Shqipërisë, medias së shkruar shqiptare që po transmetonte diçka që është marrë nga Kosova pa asnjë lloj fakti sepse fundja ne nuk kemi një kontroll mbi atë që quajmë një shtyp rozë… Nuk kam preferuar të komentoj, por atëherë kur është tepruar dhe më kanë shpikur martesa apo dasma, e kam parë të arsyeshme të ndërhyj dhe të shkoj deri në gjyq. Gjithsesi, unë di pak për këto, pasi është kompania që menaxhon të drejtat e mia ajo që merret me këtë punë. Di vetëm që aktualisht jam e paditur në Vlorë (qesh).

Tch: Atëherë është e vërtetë që ju keni qenë burim trazirash në Vlorë?

Adelina - (Qesh). Trazira është një fjalë e madhe, por në Vlorë u xhirua një videoklip veror. Nuk them që është videoklipi më i mirë i verës, por është një gjë e bukur e interesante dhe ndoshta vlen të shikohet. Ka shumë situate komike brenda dhe estetikë të tepruar për shkaqe skenari, por s'dua ta zbuloj të gjithin. Është një situatë komike që ndodh mes dy personazheve dhe ka dy kuptime, jo përqeshje, por kemi ngacmuar pak klipet ballkanike ku ka hiperbolizime të të gjitha lllojeve, që tek zgjatimet e flokëve, gjestet e tepruara, ngjyrat etj. Ajo që ndodhi në Vlorë ishte pak komike, sepse videoklipi solli shumë tërheqje vëmendje dhe për pak kohë u bllokua plazhi. Këto kanë qenë të gjitha trazirat, asgjë më shumë. Në fakt, Vlorë e kisha imagjinuar ndryshe, si hera e parë që shkoja kisha rënë edhe unë pjesë e propagandës apo klisheve të ndryshme. Mbase po, siç thoni ju (I drejtohet prezantueses së Pasdites, Lira Burgijës), i mendoja vlonjatët pak të vrazhdë, por Vlora është një qytet shumë mikpritës dhe ashtu janë edhe njerëzit në të. Pjesa që kanë një krenari të veçantë, që nuk të hapin rrugën në timon është normale. Në Kosovë ndodh gjithashtu kështu, ndryshe nuk mbijetohet ndryshe (qesh).

Tch: Në cilën gjuhë është ky videoklip?

Adelina - Është në shqip. Kisha marrë kritika nga fansat që të bëhej diçka shqip, kisha katër ditë të lira dhe thashë pse jo. Kur ke një këngë që është krijuar nga një mjeshtër si Ardit Gjebrea, është mëkat që puna të mos bëhet klip. Ndaj s'donim një klip të ekzagjeruar, që të dëgjohet kënga.

Tch: Partneri juaj në klip është Julian Deda. Duhet të ketë shumë gjëra për të qeshur?

Adelina - Juli ka një rol pak më ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim, është pak më ndryshe. Personalisht, mendoj se ta quash humorist apo aktor është e vogël, pasi ai është një artist i vërtetë. Unë kam pasur fatin që të aktroj edhe me Zef Dedën dhe tani me të birin dhe po i thoja Juilit: "Aman mos e bëj djalin aktor se do të arrij deri atje njohjen" (qesh).

Tch: Por, ndërsa Juli është partneri juaj në videoklip, Vali është partneri juaj në jetë dhe në punë, si menaxheri juaj. Kush është mashkulli që ka fituar zemrën e një prej femrave më të bukura dhe të talentuara shqiptare?

Adelina - Është e vështirë ta përshkruash në një intervistë. Në të vërtetë, është përshtypja dhe pamja që më kanë bërë të dashurohem. Në një koncert në Zvicër, në temperatura tepër të larta ai po punonte në skenë gjysmë i zhveshur dhe më tërhoqi menjëherë vëmendjen. Vali është pronari i një diskotekte ku do promovoja albumin e kaluar dhe atje e kam njohur. Në kontaktin e parë, po e mendoja për "dj" ose punëtor skene. S'më shkonte mendja që është pronari sepse mamaja ime kishte kontaktuar me të dhe se dija si dukej. Doja gjithsesi të bisedoja me të dhe gjeta si mënyrë për të folur të shaja gjithçka në atë klab dhe mënyrën se si pronari e kishte organizuar. Ai qeshte dhe më dëgjonte. Në fund mësova që ishte pronari. Pa dyshim, mënyra ime e joshjes ishte më katastrofikja e ndonjë femre në histori (qesh).

Tch: Por, si lindi ajo shkëndijë mes jush?

Adelina - Ne ishim miq fillimisht dhe ky është një komponent i veçantë i lidhjes dhe bisedonim pa tabu për tema të ndryshme. Vali është i rritur në Zvicër dhe Francë, ndaj ndihesha e lirë me dikë që s'ka paragjykime apo stereotipe. Pastaj lindi ajo kimia midis dy njerëzve, jam unë ajo që bëra hapin e parë, në fakt s'mund të quhet as hap, sepse ishte direkt një puthje. Më pas, ai këmbënguli që ndiente të njëjtën gjë, ndonëse s'kishte marrë kurë kurajo që ta bënte për shkak të respektit që ndiente ndaj meje.

Tch: A kanë bazë zërat për dasmën tuaj që janë dëgjuar?

Adelina - Në fakt nuk kemi planifikuar ndonjë dasëm, vetëm po na e bëri ndonjë gazetë, shkojmë bëjmë edhe ndonjë tjetër pa problem. Unë dhe Vali as që do e bënim publike lidhjen tonë, por do të ishte e pandershme që të kem një lidhje të fshehtë, pasi jam person publik dhe i kam falur gjithë jetën publikut. Prandaj, tani të fsheh lidhjen time s'më duket e ndershme. Besoj se duhet të jetë kështu, që jeta private të jetë sa më private, por gjithsesi kam disa përgjegjësira si person publik.

Tch: Adelina nënë?

Adelina - Jo, nuk e kam menduar këtë ende. Gjithsesi, se kam menduar ndonjëherë seksin e fëmijës, e rëndësishme është të jetë i shëndoshë dhe të ketë një jetë të lumtur. Vajzë a djalë nuk ka rëndësi. Megjithatë, preferencat e mia personale janë që në radhë të parë të jem nënë dhe pastaj këngëtare. Për momentin jam e përqendruar tek karriera. Kur të vendos të bëjë fëmijë, nuk do të jem më.

Tch: Adelina, si e mbani trupin gjithmonë në formë?

Adelina - Besoj se të gjithë ata që ulen në këtë studio thonë se është gjenetike. Në rastin im është pak edhe ajo, por edhe përpiqem shumë. Bëj çdo ditë 60 minuta not, palestër, plus impenjimet e shumta më mbajnë të gjithë kohën në lëvizje.
(zeri)

Adelina Ismaili, E Kopjuar, E Imituar, E Dashur Dhe E Përfolur