Më mbaj mend (për 1 muaj)

Alban Mehmeti: “Sapo Publikova Albumin Tim Të Ri”

Nuk ka akoma asnjë votë

[22-07-2014]
Së shpejti pritet të dalë bashkëpunimi i Albanit me një këngëtare kosovare, të cilës nuk dëshiron t’ia zbulojë emrin, për shkak se dëshiron ta lë befasi për publikun. Ai tregon se kënga është dashur të lansohet më herët, por për shkak të disa problemeve teknike lansimi është shtyrë.

Cilat janë angazhimet aktuale rreth muzikës?

Po tani e dimë që jemi në sezonë dhe angazhimet janë të shumta. Fillimisht javën që shkoi kam lansuar albumin tim të radhës me këngë të interpretuara ‘live’ dhe tani mund të gjendet nëpër të gjitha pikat e kompanisë ‘Eurolindi’. Falënderoj Leart Boshnjakun për orkestrimin, Astrit Osmanin për klarinetë dhe sax, Fisnik Bajramin për incizimin si dhe Fidan Mehmetin për fotot e albumit.

Me çfarë projektesh artistike mund t’ju takojmë së shpejti në treg?

Pas albumit që kam lansuar, unë kam përgatitur edhe dy këngë ritmike, njëra nga të cilat është duet me një këngëtare nga Kosova dhe tashmë vetëm është realizuar edhe videoklipi. Mirëpo për shkak të disa problemeve teknike na është shtyrë ende puna e promovimit. Megjithatë besoj që shumë shpejt do të fillojë të lansohet nëpër televizionet tona. Kënga është kompozuar nga Shkumbin Nebihu-Bini dhe videoklipi është realizuar nga kompania ‘Urban Gaphix’. Kënga është ritmike dhe shumë verore, që shpresoj se publiku do ta pëlqejë. Kurse kënga tjetër po ashtu ritmike e realizuar nga Kushtrim Hajrullahu besoj se do të lansohet pak më vonë, diku nga fundi i muajit shtator.



Ndonjë bashkëpunim tjetër?

Kam edhe disa ide për bashkëpunim, por nuk e di se sa do të mund të realizohen, mirëpo siç e përmenda me lart, një këngë duet vetëm pritet të dalë nga dita në ditë. Ndërsa emrin e koleges kisha pas dëshirë ta mbaj befasi për publikun.

Sa keni koncerte dhe mbrëmje të ndryshme?

E them pa modesti që jemi mjaft të angazhuar, sezoni vetëm është e prenotuar komplet dhe shpresoj që me ndihmën e Zotit do të arrijmë t’ia dalim mbanë në mënyrën më të mirë. Ndërsa sa për mbrëmje them të drejtën deri në fillim të shtatorit jemi të prenotuar dhe nuk kemi asnjë ditë të lirë. Duke filluar nga mbrëmjet rinore në të gjitha anët e Kosovës, si dhe në bregdet e po ashtu në ahengje familjare, ku natyrisht me ekipin tim performojmë gjithçka ‘live’.

Si plotësohet përditshmëria?

Në këto ditë të nxehta dhe shumë të angazhuara them se përditshmëria ime është të punojmë deri në orët e vona të natës, siç edhe kërkohet nëpër këto angazhimet tona, pastaj flemë deri nga gjysma e ditës për të pushuar dhe për të qenë në formë të mirë dhe sapo të zgjohem duhet të filloj të përgatitem për mbrëmjen apo dasmën e radhës.

Familja dhe jeta private?

Familja dhe jeta private falë Zotit janë shumë mirë. Edhe ata tani të gjithë janë të angazhuar thuajse rreth meje dhe me përkrahin gjatë gjithë kohës në forma të ndryshme që kam nevojë. Për me tepër ju falënderoj juve që na ndihmoni gjatë gjithë kohës që të promovojmë për angazhimet dhe projektet tona. Po ashtu falënderoj nga zemra të gjithë lexuesit tuaj dhe ata që na dëgjojnë ne dhe për përkrahjen që na japin gjithnjë.
 (Arbnora Xani)



Komente 1