>
LETERSISHQIP

Pëshpëris...

Disa mbrëmje s´duan të treten,
që të lindë ç´nuk është bërë,
ndodh që netët pas të kthehen,
mall-rrëmbyer je i tërë...

...dhe jeton me ç´është thënë,
mbushesh frymë ajrit të shkuar,
e ndër vesh rrënjosur mbeten,
veç tre fjale - "s´të kam harruar".

Ti kërkon të flesh pak gjatë,
por nuk mundesh pa lexuar,
disa mbrëmje s´duan të ecin,
dridhen sytë mos janë larguar.

Ndaj një fletë e merr në duar,
të pa shkruar, thjeshtë pa fjalë,
se çdo varg është gdhendur mëndjes,
vetë e bardha, thërret "mall".

Disa mbrëmje flasin në heshtje,
dhe pa dimër të ngrijnë duan,
por ne paçin ftohtë njëherë,
dita zbardhet, u harruan.

Ndodh që netët ngrijnë verës
dhe nuk ecin, gjallë mbeten,
ndaj çdo natë para gjumit,
me to flet, aspak me veten.

Brenda tyre gjendem unë,
e pafjalë, të bardhash fletë,
por që netëve para gjumi,
pëshpëris - Te dua jetë!