>
LETERSISHQIP

Do Bëj Dietë

Me ca kile përmbi peshë e ca vite mbi kurriz,
me ca halle ca probleme, thotë heqimi: “mba pehriz!
Pre cigarin edhe pijen, ec e rend bëj gjimnastikë,
se do veç për dhjamë të qenit, mos u mburr gjoja s’ke frikë…
Harro brumëra e dhjamra, ha perime krejt pa bukë
e në darkë për të harruar, rri sodit në facebook…”

Dola nga doktor mavria duke truar, duke sharë,
por më vonë e pleqërova: “do nis dietë!”, i dhaç karar.
Do t’i zboj veset e poshtra, verën, birën e rakinë,
pa do bëj dhe ca ushtrime, e do ngjaj me balerin.
Ç’ ka më shumë se unë Çezari e ç’ e gjeti se mba dietë,
kapardiset nëpër kllabe dhe mustaqet ngrë përpjetë?!

Ndaj i venë çupat nga mprapa, i ka rënë në të zullapi,
ç’ të më qasen fëmrat mua, bytha sa një fletë dollapi.
Do më shoç o miku im sa të shkojnë nja dy tre javë,
kur të vi i kapardisur, ec e të më zëç pastaj.
Sa të shfaqë shënjat e para fjalë e shenjtë që quhet dietë…
- Më vjen keq djema për juve, po kështu qënka kjo jetë.-

Hajde hajde ç’ do të bëhet, të rinjve do t’u bëj zbor.
Të kaloj në kadërdhëme të më flasin: “hej, Çak Nor!”
T’u plasin sytë nga zilia, rrofsh e qofsh e mira dietë,
të më shohin udhëheqja, të më bëjnë dhe deputet…
Pse çfarë kanë më shumë se unë Spirua tok me Vangjelë?!
- Kur të çaj në elegancë, të tre bashkë i shkoj në tel.-

Po ku ishe mor i dashur, pse i çove dëm kaq vite,
duke ndënjur në mejhane, duke ngrënë mish edhe pite?
Futja ore me barishte, kastraveca e karotë
dil e fol nëpër tribuna, mos të vejë talenti kot…
Qeshë vonuar e pranoj, do filloj dietë edhe pikë!
Do dal dhe para pasqyrës, të bëj autokritikë…

Pa e thaçë edhe e bëra, nuk e ndaj veprën nga llafi,
ha një kos e një banane, mu në djall të vejë pilafi!
Pi edhe një ujë nga çezma të të bëhet gjak e dhjamë,
hiqi qafe magjistricat që të ftojnë: “ulu të hamë!”
E po të kërcitën zorrët, të piesë nëna: “ç’ ke mor djalë?!”
mbylli veshët, hap lap topin e futu në rrjet social…

Rroftë e qoftë qytetërimi, rroftë ai që shpiku dietën!
se dyke shtrënguar rrypin, më të plotë e ke kuletën…
Shtriju qetë në kanape, fol me shokë edhe me miq.
Ndaj është shpikur facebook-u, le ç’ thonë njerëzit e liq…
Lexo shkencë e politikë, merru ca me thashetheme,
ndrro kanal, a shif “noj gjo”… më mirë mos ju fut k’ saj teme!

Kështu puna miq të dashur, i gjeta vetes rahatin,
se kur bëhem unë i mirë, armikut i shtoj inatin…
Ja ku jam, me barkun bosh, por në kokë kam plot idhera
hap kompjuterin, mendoj, mbi planet të shtoj ca vlera.
Sepse kokat e mëdha, në kohë dietash kanë punuar,
pa bënë luftëra goxha, ndaj dhe mbeten të lëvduar.

Ja u hap ekrani blu, them në skajp ta bëj fillimin
e i bie Aspasisë, sa kish filluar gatimin…
hapte peta për byrek, e në sobë piqte gjeldetin,
Aspasi! Si je si shkon?! Shpejt ja mbylla marifetin…
Ngrita sytë nëpër tavan, nga goditja të marr veten,
dhe dërgova një mesazh: “Miqtë e mi, unë nisa dietën!”…

Mblidhe mendën, bëju burrë, përballe realitetin!
shtyp butonin në Angli thërras në bisedë Xhevdetin…
“Si je Xhot, si të venë punët, a je king, a noj çikë xhek?”
“Ah që s’ je më afër Garo, po na pjek nusja biftek,
birrat në frigorifer janë ftohur e po presin:
Ja gëzuar për se largu, se burrat njëherë veç vdesin!”

Ngula këmbë e nuk pranova, i thashë ftohtë: faleminderit!
- porse zorrët që përbrenda po nisnin sulmin e tmerrit. -
Nuk përrunjem, nuk dorëzohem, nisa labçe të këndoj
mor po në gojë të ma bien, unë veç vdes dhe agjeroj…
nuk do flas me asnjeri do vozit në ndoj sajt tjetër,
hyj tek Dhimua në Athinë: “Po ku je o bukë e vjetër?!”

Ç’ ma kujton të shkretën bukë, o Dhimo nga Koshovica?
Po ja kam ndaluar vetes, të mendoj për djathë e pica!
Ore miq ore trimosha do mendojë për mua kush?!
Lëviz, thirr Antigonenë: “Tungjatjeta si je Lush?”
“Këtu jam, tok me Ilirin, zbuluam një qyp të ri
e kish Pirro i Epirit, duket se mbante turshi….

Edhe neve, të gëzuar nga gjithë ky zbulim me vlerë
ja shtruam me mish të pjekur, po pimë nga një shishe verë”…
Zot i madh si rri i qetë, lëshoi një gjemë qafirit,
se s’ mba vetë përgjegjësinë, ja hedh Pirros së Epirit!
Shpejt o Garo ndrro stacion, hiqe mendjen prej ushqimit
se këta kanë bërë komplot, çaji telat e rrethimit…

Ku të nisem e të vete, ku ia thotë këngës bilbili?
para meje peshk në zgarë, nis edhe spjegon Tafili,
merret vesh në Amerikë, andej gjegjet Antoneta
sot bëra pasha qofte, hahen mirë ç’ është e vërteta,
nga Athina futet Tina, e ajo nuk bën shaka
dërgon përmes celularit, një tepsi me musaka.

Nga Athina në Alaskë, që andej në Argjentinë,
nga Moska në Tepelenë, nga Babruja në Prishtinë,
kam lajthitur nga fiqiri, tepeleku po më luan,
u bë bota një kazan, që veç zjen edhe gatuan,
me të njohur të panjohur i falen çelementesë*
ndërsa una dietëmadhi, nuk besoj se kam më shpresë.

O ju nimfa lozonjare që s’ më vdiqët në rini,
pa më thoni, çfarë ju bëra që ta paguaj tani?
Çava shtigje, dhashë beteja, e lëkura veç m’ u rrop,
nuk do rri tani si kungull të jap shpirt mbi një lap top.
Ai që e shpiku dietën u djegtë në furrat e ferrit,
bëju trim Arqile djali… kthehu në rrugën e nderit…
Mblidhi shokët pijetarë edhe nis e shtro konak,
se kjo jeta mizerabël, pak gëzime ka… sa pak!

Janninë, 09.12.2012


i falen çelementesë* - çelementeja: libër gatimi në greqisht që e mori emrin nga autori Nikolaos Çelemendes.