>
BIOSHQIP

Aurela Gace: Gjithë Jetën Me Biletë Dhe Valixhe Në Dorë

23-01-2012
Ajo është eksplozivi i skenës shqiptare. Madje do të thoja, e vetmja këngëtare që e shkarkon të gjithë energjinë mbi skenë. Nuk ka asgjë që ta pengojë. Asgjë nuk e ndan nga muzika. Është ngjitur në skenë 9-muajshe shtatzënë, e ka dalë sërish në të, pa kaluar ende 10 ditë nga lindja. Ajo është Aurela Gaçe dhe është thjesht magjike. Në këtë intervistë të dhënë për "Bluetooth" ndan me ne shumë detaje interesante nga jeta e saj aktuale. Veç mrekullisë me emrin Grace, që ka zbukuruar jetën e saj, ajo s'është shkëputur asnjë moment nga muzika. E për muzikën që e do aq shumë do të flasim edhe sot. Është në studiot e montazhit, gati për t'u transmetuar klipi i saj më i ri, i realizuar nga Max Production përpara se ajo të bëhej nënë. Cila është kauza për të cilën Aurela bërtet në këtë këngë? E zbulojmë bashkë përmes këtij rrëfimi. Aurela, si po kaloni këto kohë? Me çfarë po merreni? Jam e lumtur…Ndërkohë mundohem të jem aktive. Më në fund po përfundoj edhe këngën e fundit të albumit. Kam pasur goxha aktivitet në fakt, fundviti është gjithmonë me shumë dalje në publik dhe unë kam qenë prezente, qoftë në "Këngët e Shekullit" në KLAN, qoftë në 50-vjetorin e Festivalit të Madh të Këngës…Gjithashtu edhe në Zvicër e USA për pak ditë, dhe aktualisht vazhdon puna për një klip të ri, që do të dalë këto ditë. Shumë për një nënë të re ëëë? Vërtet shumë dhe duhet të të komplimentojmë për këtë. Po meqë përmendët mëmësinë, si është vajza? Vajza është si një engjëll i vogël, e qetë, e qeshur…deri në momentin që i pihet. Aty nuk pret, e kërkon me ngulm dhe në momentin që do ajo. Më duket se i pëlqen jeta e natës, sepse fle ditën dhe rri zgjuar natën. Si ishte ta festonit ndërrimin e viteve pranë familjes tuaj të re? Një ndryshim shumë i madh…Gjëja më e bukur që më ka ndodhur. A jeni mësuar ndopak me jetën e re si nënë? Me të qenurit nënë nuk ke nevojë të mësohesh, është instinkt…Që në momentin e parë që e merr në krahë, kur e ndërron, kur i jep të pijë, kur luan me të, kur pret që të reagojë, sepse të njeh zërin, të njeh erën. Nuk besoj se duhet mësues që të të bëjë të ndjesh diçka kaq natyrale. Ju ka mësuar mami ndonjë sekret për rritjen e vajzës? Mami më këshillon për gjëra të tjera, që s'kanë të bëjnë me dashurinë për fëmijën…Mami im punon në konsultore të fëmijëve dhe besoj kaq ju mjafton të kuptoni se kam ndihmën maksimale prej saj. Mes angazhimeve të shumta, çfarë ka ndryshuar në ditën tuaj? Ka raste kur jam gjithë ditën në shtëpi me Gracen. Ndërkohë që ka ditë kur më duhet të largohem me orë, që të përmbush punët që kam…Nënat e tjera mund të punojnë nga ora 9 am deri në 4 pm, ndërsa unë e kam punën ndryshe, ndonjëherë do të më duhet të largohem edhe me ditë, deri sa ajo të rritet pak dhe do ta marr me vete në çdo vend, edhe në studio. Ju ndihmon Skerdi? Skerdi ka qenë aktiv që në ditët e para, është më aktiv nga ç'mund të mendohet për çunat…Edhe e ushqen, e pastron, luan e qesh me të. E bëjmë me radhë, kur mua më vjen ai momenti që më këputet koka aty ku nuk mban më, atëherë zgjohet babi i Graces dhe i jep dashurinë maksimale. Kur na duhet më shumë ndihmë të dyve, kemi dy nënat tona; dy gjyshet e Graces janë të gatshme ditë e natë të na ofrojnë ndihmën e tyre. Duket kjo gjë ne fakt, pasi ju jeni kthyer në skenë shumë pak kohë pas lindjes. Pse e morët këtë vendim? Sepse nuk besoj se të bëhesh nënë duhet të ndalosh të jesh ajo që je…Unë e dua skenën dhe s'kam pse të kthehem në njeri tjetër tani. Marr nga jeta çdo gjë që më bën të lumtur. Nuk ju shqetësoi fakti që nuk ishit në formën më të mirë fizike? Po merreni me palestër aktualisht? Të më shqetësonte fakti që nuk isha në formë? Aspak. Unë kam qenë në skenë edhe me disa kile më shumë, edhe me formë të mirë si të një sportisteje…Dy muaj më parë u bëra nënë dhe kilogramët e tepërt që mora gjatë shtatzënisë nuk hiqen menjëherë. Megjithatë unë nuk kam komplekse, me kilogramë më pak a më shumë, jam e njëjta, energjinë e kam në maksimum, plus, po të dish të vishesh dukesh mirë në çdo peshë. Kam filluar të eci nga pak, jo ushtrime të forta, thjesht ecje në pistë. E kam lënë për pak më vonë atë stërvitjen që sjell muskujt në formën e duhur. Aurela, kemi mësuar që shumë shpejt do të publikohet edhe klipi i këngës suaj të re, të cilin ju e keni realizuar përpara se Grace të lindte. Pse kjo zgjedhje? Po ndiqni edhe ju rrugën e yjeve ndërkombëtare që realizojnë video në kohen kur janë shtatzënë për ta pasur kujtim? Grace do të ketë kujtime që në skenën e Eurovizionit, se aty ka qenë tek barku i mamit…Do të ketë kujtim kopertinën e revistës, daljen në "Këngët e Shekullit"… Ky klip nuk ka fare lidhje me të qenurit thjesht një kujtim për vajzën. Po çfarë është atëherë? Është një dhimbje, një ngërç që më zë fytin, një lloj proteste. Unë së bashku me Dr.Florin e kemi nisur këtë këngë përpara 2 vjetësh dhe është pjesë e albumit tim, ashtu siç nxora këngën "Origjinale" dhe "Cash". Kënga nisi thjesht nga një bisedë e imja me Dr.Florin… Po i tregoja se kur jam në Amerikë, mezi pres të vij këtu dhe kur jam këtu, shumë shpejt pezmatohem dhe kuptoj që gjërat ecin kaq ngadalë, harxhon kaq shumë energji për të bërë shumë pak dhe kjo më bën të dua të iki… E pastaj kthehem prapë; është një dashuri për vendin tënd që të bën të vish, por fatkeqësisht shumë njerëz e mendojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre jashtë vendit. Gjithë njerëzit që njoh, si të pasur e të varfër, i kanë fëmijët jashtë. I diplomojnë këtu deri në një pikë dhe pastaj detyrohen t'i largojnë…Pse? Prandaj kënga është xhiruar e gjitha, shumë pak ditë përpara së unë të sillja në jetë Gracen. Shqetësimi që kam unë si nënë: Ku është e ardhmja e fëmijës tim, këtu apo…? Pra, fabulën e morët nga jeta juaj? Fabula është gati. Mjafton të kuptosh atë që ndjen, të jesh e vërtetë me ndjesitë e tua dhe të mos kesh frikë të thuash atë që mendon. Unë thjesht e ndava ndjesinë time me dr.Florin dhe ai më tha, kjo është kënga jote "TRANZIT", je gjithmonë me biletë në dorë e gjithmonë me valixhen gati, ikën e vjen. Thatë që kur jeni në Amerikë mezi prisni të ktheheni këtu. Çfarë ju bën të ktheheni dhe çfarë ju bën të largoheni nga Shqipëria? Më kthen një dashuri që është e pashpjegueshme… ndoshta sepse është i vërtetë vargu, "KU ESHTE BALTA ME E EMBEL SE MJALTA?" ose "GURI I RENDE NE VEND TE VET"…sepse këtu jam rritur, këtu i kam prindërit, këtu e kam shoqërinë, kujtimet, thjesht ti nuk largohesh dot nga ky vend dhe e do me të mirat e të këqijat e veta. Eh, ajo që më bën mua të largohem, është e njëjta arsye që i bën të gjithë të largohen e të kërkojnë një të ardhme të ndryshme për veten ose fëmijët e tyre…Arsyeja pse i ka bërë shumë prindër të jenë të ndarë nga fëmijët e tyre për vite me radhë ose të shkojnë jashtë dhe të punojnë punët nga më të rëndomtat vetëm e vetëm që t'u japin mundësinë fëmijëve për një të ardhme tjetër. Në tekstin e këngës ngrihet dilema për rritjen e fëmijës suaj. Ju këtë e cekët edhe vetë pak më lart. Po në fakt, e ka zgjedhur Aurela se ku do ta rrisë fëmijën e saj? Është akoma herët për të folur për këtë…Me fëmijën tim unë përgjithësova në këtë video gjithë të ardhmen e këtij vendi. Sa do të doja t'i thosha PO fëmijës, do të rritesh në këtë vend dhe shpresoj shumë në të ardhmen se do të jetë edhe më e mirë. Aurela, kur jeni në aeroport mendoni që… Që jam TRANZIT. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë këngë? Muzika është bërë nga Alban Kondi (grupi Produkt 28), i cili më ka dhuruar një melodi që më shkon shumë, ndërsa teksti është bërë nga Dr.Flori në bashkëpunim me mua…Kam gjetur gjuhën e duhur me Dr.Florin në këtë pikë, pasi ai si autor tekstesh ka mendimet e veta dhe është shumë i hapur të më dëgjojë, madje edhe lodhet nga unë, sepse jam shumë e saktë në atë që dua dhe ja rezultatet, kam tekste shumë të bukura nga ai. I falenderoj të dy shumë. Edhe orkestracioni është bërë nga Edlir Begolli, një djalë i ri, por që ka fantazi dhe me energjinë e duhur. Ndërkaq dua të falenderoj po kaq edhe "Max Production" për punën që kanë bërë në realizimin e videos. Pas publikimit të kësaj kënge, cili është hapi i radhës? Oh, shpresoj të mbyll sa më parë këngët e fundit që kanë ngelur për t'u incizuar, sepse në fakt u lodha me albumin, pasi më zgjati 2 vjet që e kam filluar, por një vit pothuaj unë u bllokova, qoftë me Eurovizionin e qoftë edhe shtatzënia bëri punën e vet…Plus gjërat këtu tek ne nuk bëhen asnjëherë kur ti i kërkon …Një herë s'ka dritë në studio, një herë s'ta ngrenë telefonin, një herë të tjerët kanë punë të tjera dhe nuk e gjejnë kohën të merren me ty e kështu me radhë…Unë thjesht jam shumë e duruar për të përfunduar atë që dua.
(Eraldo Rexho Bluetooth)

Aurela Gace: Gjithë Jetën Me Biletë Dhe Valixhe Në Dorë