>
BIOSHQIP

Aurela Gace: Kam Qene Nje Adoleshente E Pabindur

30-05-2012
Kam qenë një adoleshente e pabindur"… Kjo është fjalia që dallon qysh në përgjigjen e parë të Aurela Gaçes. Ylli i skenës shqiptare, që sot është idhull i shumë të rinjve, vjen sot në faqet e "Gjimnazistëve" për të sjellë një shembull shumë të mirë. "Mos u dorëzoni për asnjë moment, por me guxim shkojuni deri në fund ëndrrave tuaja!". Ky është mesazhi që Aurela përcjell. Të kuptohemi, shembulli i Gaçes mund të ndiqet vetëm nga ata të rinj, që ashtu si ajo dikur, i kanë këmbët në tokë dhe e dinë mirë se në çfarë fushe janë të aftë.

Natyrisht, veç kësaj pjese, Aurela tregon edhe për rebelimet e adoleshencës, të cilat i cekëm në fillim. Ka dashur që të jetë e veçantë, siç është tani, ndaj dhe gjithmonë ka bërë zgjedhje të guximshme. Madje ka guxuar edhe kur e ka ditur që si këmbim do të merrte dënimin. Ka shkuar në shkollë me pantallona të ngushta, minifunde e thonj të lyer me rezervë të kuqe, sikundër ka dalë në skenë këmbëzbathur…

E megjithatë gjithmonë është adhuruar. E kanë kopjuar, e kopjojnë dhe për këtë Aurela Gaçe, renditet sot pa frikë në listën e këngëtarëve që frymëzojnë. Së fundmi është bërë mama e një vajze, po si ka qenë dikur? E zbulojmë bashkë..
Si e kujton Aurela periudhën e gjimnazit? Ku e keni bërë atë?
Gjimnazin e kam bërë në Llakatund, aty prej nga vij. Ka qenë kohë e bukur. Unë kam qenë një adoleshente e pabindur, nga ato që lënë orët e mësimit (qesh).
Dhe ku shkonit kur i linit orët?
Luaja top, se nuk kishte pub-e në atë kohë.
Me kë i linit orët. Kishit ndonjë shoqe që ju shoqëronte?
Ndonjë që ishte si unë, pasi shumica e vajzave në atë kohë ishin të rregullta, nuk e njihnin rebelimin. Të kuptohemi edhe unë s'isha ndonjë rebele në ekstrem, por ndonjëherë në të rrallë i lija.
Aurela rebele. Ndonjë rregull tjetër që e thyenit?
Po ja, për shembull vishja pantallona të ngushta, që nuk lejoheshin.
Ju dënonin për këtë?
Po, më kanë nxjerrë nga mësimi. Pastaj lyeja gishtat me rezervë të kuqe, se në atë kohë nuk kishte manikyr. Edhe për këtë më ka nxjerrë nga mësimi zysha e kimisë.
D.m.th paskeni qenë gocë moderne?
Po, madje mbaja gjithmonë me vete një laps të zi dhe një në ngjyrë kafe dhe me to lyeja sytë gjatë pushimit.
Marrëdhëniet me zyshat si i keni pasur?
Shumë të mira. Më donin shumë.
Keni kopjuar ndonjëherë?
S'kisha nevojë, sepse zyshat më mbanin vetë me hatër.
Pse?
Po, ngaqë jam e mirë unë.
Cila ishte lënda juaj e preferuar?
Përgjithësisht lëndët shoqërore i kam dashur shumë.
D.m.th në lëndët shkencore s'keni qenë mirë?
Ekzakt. Nuk më pëlqenin fare lëndët që kishin probleme për të zgjidhur. Matematikën njëherë, nuk e pëlqeja fare. Ah, kam qenë nxënëse shumë e mirë edhe në fizkulturë.
Ju në këtë kohë keni qenë e famshme në shkollë besoj, duke qenë se e keni nisur që e vogël këngën?
Po, po. Isha këngëtarja e shkollës, fshatit, qytetit. E kryeqytetit u bëra më vonë (qesh).
Sa ndikonte të qenit në qendër të vëmendjes në raportet tuaja shoqërore?
Nuk ndikonte absolutisht. Unë isha mësuar me skenën dhe vëmendjen. Kam kënduar qëkur kam qenë 4-5 vjeç, kam qenë pjesëmarrëse në Festivalet e Fëmijëve në Shkodër dhe kam fituar çmime të para, ndaj vëmendja e të tjerëve, apo fakti që këndoja nuk më bënte të ndihesha superiore. E vetmja gjë që më dallonte nga të tjerët, ishte veshja ekstravagante (pantallona të ngushta, minifunde), e cila më hapte edhe probleme ndonjëherë.
Çunat, ju ngacmonin?
Jo. Ç'të më ngacmonin?! Ne ishim të gjithë kushërinj (qesh). Se bëj shaka. Gjithë ideja është që duke qenë vend i vogël, ne të gjithë e njihnim njëri-tjetrin, njihnim familjet e njëri-tjetrit, kështu që edhe çunat kishin 'frikë' të hidhnin grepin. Po kur vinin djem nga qytete të tjera, pyesnin për mua. Isha si e veçantë (buzëqesh).
Kjo do të thotë që ju s'keni përjetuar një histori dashurie gjatë gjimnazit. S'i keni shijuar ato dashuriçkat?
Jo, jo, në gjimnaz s'kisha lidhje. Dashuriçkat i lashë për në Tiranë (qesh).
Pas gjimnazit ju vazhduat shkollën për dramë. E kaluat direkt konkursin?
Jo, s'e kalova direkt. M'u desh të prisja një vit, por gjithsesi unë nuk hoqa dorë, sepse e dija që isha e mirë (qesh).
(Eraldo Rexho Gazeta Shqiptare)

Aurela Gace: Kam Qene Nje Adoleshente E Pabindur