>
BIOSHQIP

Aurela Gace: Më Mungon Jeta E Natës

09-06-2012
Asnjë risi muzikore nuk vjen pa një plan nga këngëtarja Aurela Gaçe. Duket se për çdo stinë ajo ka këngën e duhur. Pas suksesit të "Tranzit", ajo ka promovuar këngën e re "Boom, Boom, Boom", në skenën e "X Factor Albania". Një këngë ritmike, plot energji, që të vë në lëvizje dhe që mbështetet në motivet shqiptare gërshetuar në ato R&B, ka marrë miratimin e parë nga publiku që e ka ndjekur live, ndërsa këto ditë kënga do të vijë edhe me një klip. Në këtë intervistë për "Summer Time", Aurela ka treguar më tepër rreth kësaj kënge, albumit të saj, si edhe ndonjë detaj që duket se i mungon qëkurse është bërë nënë!

Aurela, prezantuat këngën e re "Boom Boom Boom". Si ishte reagimi i parë?

Besoj se është mirëpritur, këtë e them pas duartrokitjeve nga publiku dhe mesazheve që kam marrë. Por për më tepër, për sa i përket pjesëmarrjes sime në "X Factro", ishte e rëndësishme për mua të mbështesja Xhesikën, pasi kam qenë vetë dikur në hapat e parë dhe kam pasur nevojë që dikush të më mbështeste. Akoma edhe sot që kam vite në skenë e dua mbështetjen.

Kënga do të shoqërohet me klip?

Po, kënga do të shoqërohet me klip, të cilin po e xhiroj. Në fakt do të doja që ta mbaja për veten time këngën dhe ta prezantoja vetë në kohën e duhur me klip, por skena e "X Factor" donte zjarr, kështu që i dhashë këtë këngë. Me këtë rast, dua të falënderoj Dr. Florin, me të cilin kam punuar këtë këngë e në fakt kemi një bashkëpunim të gjatë dhe të suksesshëm, dhe Edlir Begollin që kanë bërë muzikën dhe orkestracionin. Gjithashtu përshëndes Joni Peçin për veshjet që ka realizuar, make up artist Lilin, dhe sigurisht Albi Nakon.

Përherë luani me ngjyrat dhe modelet e flokëve, këtë herë flokë blu dhe një "A e gdhendur në kokë"… Përse?

Tatuazhin e kam bërë me idenë për të bërë diçka ndryshe dhe kur nuk po gjeja ndonjë gjë tjetër bëra A. Mua më pëlqen gjithmonë të luaj me flokët. Aurela, prej kohësh keni folur për albumin tuaj.

A ka ardhur koha të prezantohet ai?

E vërteta e albumit është se unë pretendoja ta nxirrja në kohën kur kam publikuar këngën "Origjinale", pasi ajo këngë është pjesë e albumit. Isha duke punuar në atë kohë për të, më kishin mbetur edhe pak këngë, më tej unë shkova në Eurovizion dhe aty stopoi çdo gjë, isha shtatzënë, linda pastaj dhe për një vit nuk iu përkushtova dot. Por, ama, jam munduar ta mbaj publikun pranë me këngët "Cash", "Tranzit" dhe këtë këngë gjithmonë të ndezur dhe këto këngë do të jenë në këtë album. Kështu që albumin po e shijoj.

Këtë verë si e keni parashikuar?

Vera është gjithmonë e nxehtë me punë, shpresojmë edhe ca pushime gjithashtu.

Përveç ca pushimeve të gjata nga skena, çfarë ka ndryshuar tek ju që me lindjen e vajzës?

Në pjesën artistike nuk ka ndryshuar gjë, pasi këngët që kam nxjerrë ishin realizuar para se Grace të vinte në jetë, por jam bërë më e ndjeshme, më familjare, sepse mua më pëlqen shumë jeta e natës dhe më mungon që kur jam bërë nënë, por ama jam e lumtur dhe e mbushur shpirtërisht me atë çfarë kam. Dhe kjo është vetmja gjë që ka ndryshuar që kur jam bërë nënë.
(Koha Jone )

Aurela Gace: Më Mungon Jeta E Natës