>
BIOSHQIP

Aurela Gaçe: “Jetoj Për Dashurinë E Këtij Publiku”

10-08-2014
Aurela Gaçes i është dashur të mbyllë koncertin e saj në Vlorë, ende pa filluar mirë. Ngjarja ka ndodhur një natë më parë, ku sipas këngëtares, forca të shumta policie hynë në klubin ku ajo po performonte dhe e ndërprenë koncertin. Gjithçka ka ndodhur për faktin se ora kishte kaluar 00:00 dhe sipas ligjit, pas kësaj ore nuk ka muzikë. Por në statusin e postuar nga Aurela në Facebook, ndër të tjera, ajo thotë se ndihet e ofenduar, pasi në shumë klube të tjera, nuk respektohet ky ligj.



“Në 20 vjet live për publikun, nuk me kishte ndodhur asnjëherë si mbrëmë. Fillon sezoni veror për Vlorën e për zonat bregdetare. Marr ftesa si shumë këngëtarë që të shkoj të performoj për qytetarët e atij vendi e për pushuesit. Vlora ma rezervon gjithmonë një datë, një nga klubet e mëdha bëri ftesë si çdo vit. Te gjitha herët që kam qenë, çdo vit, koncerti ka filluar vonë. Arsyet? Megjithëse e vendos orarin në 10 hyrja, janë të paktë njerëzit që vijnë vërtetë në atë orë. Shumë ngelin në trafik, që ka raste të paktën në Vlorë, bllokohen edhe me orë, duke i parkuar makinat larg e duke ecur edhe në këmbë për të hyrë në koncert. Ashtu siç ndodhi edhe mbrëmë. “Dy mijë njerëz ndenjën në radhë e në trafik deri sa më në fund ishin të gjithë brenda. Nëse publiku arrin të futet brenda vonë, për rrjedhoje edhe unë jam në pritje të futjes brenda të gjithë publikut, nuk mund të filloj të performoj kur aty akoma vazhdon të mbushet salla. Unë prisja me padurim të merrja dashurinë e tyre. E ata timen”.



“Filloi koncerti. Çdo vit ndodh që koncertet fillojnë mbas 12 e gjysmës. Sipas ligjit, mbas 12 nuk ka muzikë. Por, e vërteta është se muzika vazhdon si për klube e për dasma deri në mëngjes. Hyjnë forca policie. Shume forca policie...”. “Mbrëmë ishin të vendosur, urdhri ishte i prerë. Të mbyllej vendi. D mije njerëz sapo filluan të argëtoheshin. Sapo kishin filluar pijen e parë. Unë sapo fillova pesë këngët e para… Nëse ky është një rregull, të lutem shteti im zbatoje për të gjithë. Të shkojnë të gjithë të nxjerrin lejet përkatëse për klubet e tyre... Unë jam e ftuar të performoj dhe nuk merrem me lejet...”.



“Unë jam e ofenduar, ashtu si ata dy mijë vetë që kishin lënë edhe fëmijët me gjyshet, ndenjën në trafikun e famshëm të Vlorës, pritën në radhë, paguan. Po ashtu unë kisha një staf shumë të madh njerëzish që punuan dy dite për të ngritur një skenë që nuk ekzistonte. Mund të dal edhe unë me një DJ edhe të bej sikur këndoj, dhe nuk kam nevojë për staf me vete. Por nuk pranoj ta gënjej publikun, e për rrjedhojë shumë klube nuk arrijnë të më kenë aty me gjithë stafin e madh që më duhet për të sjellë para publikut atë që quhet koncert i vërtetë. Nuk di se kush dha urdhër të hynin në fillim të koncertit forca të mëdha policie. Nuk merrem as me inate të vogla o të mëdha të askujt”. “Kërkoj falje publike atij publiku që priti mbrëmë me orë, jo për fajin tim, sepse edhe unë prisja të futeshin të gjithë brenda e t’i argëtoja me shpirt, sepse dashurinë e kthej vetëm me dashuri. Unë vetë personalisht do të bëj diçka që nuk e kam bërë kurrë. Do të kërkoj lejet përkatëse nga administrata qoftë bashkiake, qofte ajo policore, që ai koncert ose ajo dashuri që u pre në mes mbrëmë, të zhvillohet në një datë të afërt. U mërzita sa s’ka. Jetoj për dashurinë e këtij publiku”, ka shkruar mes tjerash Aurela në deklaratën e saj në Facebook.
(BW)

Aurela Gaçe: “Jetoj Për Dashurinë E Këtij Publiku”