Bashkim Gjyriqi
(0-2012)
Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.9 / Votuan:  18

Bashkim Gjyriqi është autor këngësh i njohur. Bashkim Gjyriqi ishte biri i një familjeje intelektuale nga Kolgecaj. Pak më lart kullës madhështore ku lindi dhe u rrit Bashkimi, do të ishin selitë e vjetra të institucioneve kryesore të rrethit të Tropojës, pak më poshtë asaj kulle do të ishin selitë e reja të këtyre institcioneve. Pra, kulla do të ishte në qendër të qendrës së qytetit Bajram Curri, i cili që nga mesi i viteve Pesëdhjetë do të ishte qendra e rrethit të Tropojës. Dhe në qytetin e ri do të vinin zyrtarët e parë të rrethit, shumë prej tyre tropojanë. Në këto rrethana, familja e Bashkimit do të kishte ndikim themelues në mënyrën e re të jetës qytetëse në Bajram Curri.

Fare pak më lart kullës malësore të Bashkimit ndodheshin edhe blirët e Kolgecajve, më vonë blirët e Bajram Currit. Ishin një mrekulli i vërtetë e natyrës, jo vetëm të rrallë, por edhe të papërsëritshëm. Në çdo stinë ata i jepnin hije, hijeshi e madhështi qytetit. Aty liheshin të gjitha takimet me miqtë nga anët e anëve, aty shkrepeshin gati qind për qind të të gjitha fotografive që mbaheshin kujtim për jetë. Aty drejtoheshin së pari e së fundmi kamerat e fotoreporterëve dhe të kineastëve ngado që vinin. Në vitet Shtatëdhjetë, në kohën kur po ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës, nga transformimet që ndodhen në qytetin Bajram Curri, të parët që e pësuan, ishin blirët. Pa ata, njëherë e mirë, qyteti do të mbetej pa identitet. Dhe, sado që u rrit, as në kulmin e lulëzimit të tij, qyteti i Bajram Currit asnjëherë nuk arriti të ketë shtrirjen e fshatit Kolgecaj, ku ai zuri vend, asnjëherë nuk arriti të sfidojë bukuritë e këtij fshati në rrëzë të Malit të Hekurave, pranë pyjeve të gështenjave dhe jo larg njërës prej nyjave të rrjedhës së Valbonës. Fatin e blirëve e pati edhe kulla malësore ku u lind dhe u rrit Bashkimi. Me motrën, prindërit, nusen tiranase dhe fëmijët e tij Bashkimi u vendos në një apartament me tri dhoma e një guzhinë, diku pranë hotelit "Ndërtuesi", tek zona e quajtur Lloçi.

Bashkimi kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte emëruar shef i muzikës në Shtëpinë e Kulturës të rrethit. Ishte kompozitor, instrumentist - në fizarmonikë dhe piano, ishte orkestrues (aranzhues), ishte drejtues orkestre, organizator i festivaleve dhe veprimtarive të tjera krahinore, ishte mësimdhënës i muzikës në shkollën e qytetit, drejtues i rretheve muzikore jashtëshkollore, pjesëmarrës nëpër juritë e ndryshme etj.. Ishte një talent i njohur dhe i respektuar nga nxënësit, kolegët vendës, por edhe nga profesorët dhe kolegët që vinin nga Tirana apo Shkodra.
Falë rolit të veçantë të Bashkimit do të kishim muzikën e re qytetare, pra këngën, vallen, muzikën orkestrale qytetare tropojane. Mbi sfondin e traditës së përfaqësuar nga artistë të tillë të mëdhenj si Isuf Halili, Murat Alia, Zef Avdia, Riza Zymeri, vëllezërit Bajra etj. etj. do të lartoheshin artistë të mëdhenj të përmasave kombëtare si këngëtarët Fatime Sokoli, Shkëlzen Zalli, Gëzim Nikaj, Fatmira Breçani etj., koreografët e kërcimtarët Skënder Haklaj, Deli Metaliaj etj. Mbi traditën e re të ndërtuar nga Bashkimi, do të vinin kompozitorë si Kolë Susaj dhe Skënder Dozhlani. Ansambli "Valbona" e më vonë ansambli "Dardania" do të kishin famë jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, duke çuar peshë jo vetëm skenat e Shqipërisë e të Kosovës së asaj kohe, por edhe skenat ndërkombëtare.

Pa zmadhuar gjë, mund të them se më shumë se nëntëdhjetë për qind e repertorit të këtyre ansambleve tropojane do të merrej nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve, do të luhej nga artistët më të mëdhenj të Shqipërisë, prej tyre do të frymëzoheshin Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Agron Aliaj etj.. Kostumet tropojane do të zbukuronin trupën profesioniste të këtij ansambli. Pjesët muzikore orekstrale tropojane do të ishin bazë e krijimeve të hatashme të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, sidomos atyre shkodranë si Tish Daija, Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj.. Ariet muzikore mbi këngët popullore tropojane do të bëheshin pjesë e repertorit të artistëve tanë të operas. Dhe njeriu i parë me të cilin këshilloheshin në Tropojë krijuesit nga kryeqyteti ishte pikërisht Bashkimi.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre repertorëve kishin në zanafillë sidomos krijimtarinë e Bashkimit dhe të kolegëve të tij më të vonë tropojanë. Nuk do të arinte të kishte këngë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion, por pati në veprimtari të tjera qendrore, lëvroi këngën për fëmijë dhe arriti të marrë edhe çmime në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, ku madje, siç kujtojnë edhe sot në Tropojë, çmimin e parë e shkëmbeu me një piano për Shtëpinë e Kulturës në Bajram Curri. Bashkimi do të kishte edhe një rol episodik në filmin "Rrugë të bardha" me skenar të Vath Koreshit e regji të Viktor Gjikës, ku një nga rolet kryesore e luante tropojani Sali Doçi, aktor me talent të veçantë, por të ndërprerë nga sëmundja e rëndë dhe pastaj nga vdekja.

Liceu artistik "Jordan Misja" në Tiranë, liceu artistik "Prenk Jakova" në Shkodër, shkollat e tjera muzikore në vend, Instituti i Lartë i Arteve (sot Akademia) do të vërshoheshin sidomos që nga vitet Shtatëdhjetë prej talenteve të reja tropojane. Ata ishin nxënës të Bashkimit, ishin pjesëmarrës të rretheve jashtëshkollore, ishin të zbuluar nga Bashkimi, sepse tek ai paraqiteshin së pari të gjithë ata që mendonin se, po t'iu jepte sigurinë Bashkimi, ata do të kishin sukses në konkurrimet. Duke parë tek Bashkimi njeriun e drejtë dhe plotësisht të besueshëm, prindërit i dërgonin tek ai fëmijët e tyre pa ngurimin më të vogël dhe me kënaqësinë më të madhe. Këta të gjithë sot kanë zënë vend në jetë, jo pak prej tyre duke u shquar në skenat kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

» Dërgo Korrigjime »

» Tekstet e Këngëve »