>
LETERSISHQIP

Poezia E Pare

Poezia ime e parë e botuar
kaloi në kantierin tonë duar më duar,
pastaj ma kthyen mua gazetën, më së fundi,
po tani poezia e vogël nuk dukej gjëkundi.
Ajo qe mbuluar e tëra me shenja njollash,
e tëra me shenja balte, betoni dhe vajrash;
secili nga shokët e mi
kish lënë atje të prekurën e duarve të tij
dhe çdo e prekur sikur ishte një nënshkrim
kallosh punëtori,
dhe çdo e prekur sikur ishte një shtrëngim
duarsh punëtori,
dhe më dukej sikur punëtorët poezinë time e
pagëzonin
si poezi të tyre,
poezi djerse, balte dhe betoni.