>
BIOSHQIP

Bojken Lako: Me Semin Na Bashkoi Muzika

15-02-2012
Faktin që Bojken Lako është një prej artistëve më të veçantë të skenës shqiptare, tashmë s'e vë më askush në diskutim. Me një karrierë të gjatë në muzikë, pavarësisht shkëputjeve e rikthimeve të herë pas hershme, ai vazhdon edhe sot të mbetet një nga më të pëlqyerit e ‘rrokerëve'. Prej vitesh i kushton mjaft kohë edhe regjizurës dhe ka tanimë dy sezone që është shtylla drejtuese e një emisioni për të rinj në Tv Klan, "Promozone".

Do të jetë pikërisht puna me të rinjtë, e kujtimet e adoleshencës së tij ato që do të jenë në fokus të këtij rrëfimi sot. I sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, siç gjithmonë Bojkeni është. Gjithçka duke filluar nga puna aktuale, lidhja me adoleshenten Semi, e deri tek orët e lëna në Liceun Artistik. Duhani, alkooli dhe gjithë çmenduritë e Bojkenit adoleshent do të vijnë sot ekskluzivisht në faqet e suplementit të së mërkurës.
Me çfarë po merreni aktualisht?
Aktualisht po punoj për një album të grupit "Grifshat", pasi kemi përfunduar këngën, të cilën e kemi dorëzuar në edicionin e radhës së "Top Fest". Gjithashtu kam shumë dëshirë që të bëj videoklipin e këngës "Të zakonshëm", këngë me te cilën morëm pjesë në "Festivalin e 50-të të Këngës në RTSH" me grupin "Breza".
Jeni duke krijuar këngë për artistë të tjerë?
Jo, po krijoj këngë vetëm për këto dy grupe, "Grifshat" dhe "Breza".
Jeni çdo ditë në kontakt me të rinjtë, gjithmonë keni bërë emisione me të rinjtë dhe për të rinjtë. Si është marrëdhënia juaj me ta?
Është një marrëdhënie e mrekullueshme dhe një kënaqësi për mua që të punoj në këtë drejtim, sepse gjithmonë e më tepër gjej vlera dhe talente të mëdha që sa vijnë e shtohen tek shqiptarët.
Jeni në lidhje me një vajzë të re në moshë, adoleshente. Si shkon lidhja juaj dhe si e gjetet gjuhën e përbashkët?
Jam në një lidhje shumë të bukur dashurie, nuk mund të thuhet se të përbashkëtat i gjetëm vetëm nëpërmjet muzikës, sepse ajo ishte lidhja dhe ajo normalisht që ka të bëjë shumë, pasi ishte njohja dhe adhurimi, por duke u njohur pak nga pak gjithçka ishte në harmoni perfekte. Siç duket jeta kështu i bashkon njerëzit dhe ndjenjat e tyre, në mënyrë të natyrshme. Jemi të lumtur me njëri- tjetrin në çdo drejtim. A tani e kuptova mbase më mirë…Ju pyesni si e gjetëm gjuhën e përbashkët për shkak të moshave të ndryshme, unë besoj që dashuria nuk njeh moshë në asnjë drejtim.

Jeni menaxher i grupit të Semit, "Grifshat". Sa të talentuar janë adoleshentët e sotëm?
Për sa i përket punës se menaxhimit, ky nuk është një menaxhim i mirëfilltë sepse akoma unë nuk kam ndonjë studio menaxhimi ose një zinxhir të saktë menaxhues, nuk është edhe koha për menaxhim, sepse çdo lëvizje është pak e sforcuar dhe e pamundur për shkak të shumë arsyeve, por me të vërtetë po më shijon pasi kemi bërë disa gjëra të vogla të mira dhe jemi seriozë për të ardhmen, gjithashtu edhe pjesëtarët e këtij grupi kanë qejf që të bashkëpunojmë. Unë po mundohem që të krijoj muzikë për këta të rinj të talentuar, që besoj se më vonë nuk do të kenë nevojë për mbështetje, por do të vazhdojnë vetë. E shoh shumë të talentuar rininë e sotme sepse të rinjtë e sotëm kanë edhe më shumë mundësi në çdo drejtim, shohin shumë, janë të lirë, kontaktojnë shumë më tepër me botën jashtë dhe normalisht që kjo liri besoj se sjell një numër më të madh të rinjsh që provojnë t'i futen rrugës së muzikës.

Sa të ndryshme e shihni rininë e sotme nga rinia që keni kaluar ju?
Ka pak ndryshim mendoj, sepse ajo kohë ka qenë e artë për botën në përgjithësi, u thyen disa mure të rëndësishëm, u krijuan dimensione të reja midis komunikimit të kombeve dhe të brezave, të rinjtë përfituan lirinë të cilën e donin aq shumë, kishte pak më tepër poezi, ëndërrim e shpresë, ndërsa në këtë kohë gjërat janë më racionale, shumë të përcaktuara, më shumë ekonomike se shpirtërore, por gjithsesi kështu është e gjithë bota, është periudhë që duhet ta kalojmë, ndërsa talente dhe të rinj të talentuar ka përsëri dhe do të ketë gjithmonë.
Meqë jemi tek adoleshenca, rinia juaj, si ka qenë kjo kohë për ju?
Ka qenë një periudhë ëndrre mund të them, sepse besoj e tillë është për çdo adoleshent. Jeta është çdo ditë si një dhuratë e re, arrin të ndjesh dhe aromën e një dite të re, plot me shpresa, me energji dhe pa përgjegjësi, gjë që të bën të ndihesh shumë i lumtur.

Ku e keni ndjekur gjimnazin?
Kam ndjekur Liceun Artistik "Jordan Misja" (1989-1993).
Keni mësuar shumë?
Jo, përkundrazi shkova në lice pas një shkolle 8-vjeçare shumë rigoroze në çdo drejtim edhe në kulturën e përgjithshme edhe në instrument, sepse kam bërë shkollën "Servete Maci". Ndërsa sapo shkova në lice në semestrin e parë mora paralajmërim për përjashtim nga shkolla. Drejtor ishte Zhani Ciko. Liceu ishte shkolla e lirisë, e shthurjes, e qejfit. Çdo adoleshent e dëshironte dhe kështu ndodhi. Erdhën të gjitha përnjëherë, qejfi alkooli, cigarja, lëniet e mësimeve, më shumë kam luajtur futboll me lekë sesa kam bërë piano dhe mësim.
Cila ka qenë lënda që ‘urrenit' më shumë?
Matematika e fizika.
Po më e preferuara?
Piktura, megjithëse nuk isha për pikturë, ndonëse në mësimet e përgjithshme kam qenë në klasë vetëm me piktorët dhe violonçelistët.
A kanë qenë prindërit kërkues ndaj jush?
Shumë!
Ziheshit me to, dilnit natën?
Po, i kam pasur si shokë dhe më kanë lënë për gjërat më të çmendura, por kanë qenë edhe shumë kërkues.
Kur e keni filluar alkoolin dhe duhanin?
Qëkur u futa në lice.
Për çfarë ju tërhiqnin vëmendjen mësuesit zakonisht, se që ju kanë bërtitur s'e vë në diskutim…
Për lënien e orëve të mësimit.
Çfarë notash merrnit zakonisht?
Ishte pak periudhë…E kuptoni vetë…Kënaqësia dhe impenjimi më i madh i këtyre viteve ishte që të shkonim të përkrahnim demonstratat e studentëve në qytet "Studenti", e gjithsecili të jepte një ndihmë në atë ndryshim sistemi, plus edhe adoleshenca, plus edhe liceu si lice, kështu që nuk e mbaj mend së çfarë notash kam marrë. E di që në atë kohë mendjen e kishim tek grupet muzikore që donim të krijonim, provat që bënim me to, muzika që dilte. Kjo ishte dita e një nxënësi të liceut.
Katër keni marrë ndonjëherë?
Kam ngelur edhe në vit të parë dhe në vit të dytë për vjeshtë në matematikë e fizikë.
Keni kopjuar ndonjëherë?
Nuk kishte nevojë të kopjoje.
I keni lënë orët e mësimit?
Pothuajse gjysmat.
Ku shkonit?
Shikonim futboll tek oborri i liceut sepse luanin futbollistë të ndryshëm e shoqëri të ndryshme dhe bënin ndeshje të forta. Bënim ‘party' nëpër shtëpi ose shkonim nga liqeni ku pinim në atë kohë ponç, fërrnet ose konjak.
Keni bërë ndonjëherë sherre me shokët?
Jo.
Ndonjë ekskursion i veçantë?
Kanë qenë dy ekskursione që i mbaj mend mirë, njëri më malin e Dajtit, kurse tjetri në qytetin e Beratit.
(Eraldo Rexho Gazeta Shqiptare)

Bojken Lako: Me Semin Na Bashkoi Muzika