>
LETERSISHQIP

Forma Të Lirisë

Liria, në vendin e mbushur me humus të prishur dhe fosfor të shkatërrueshëm, doktorata në kraharor të derrit të majmë, është e zezë si vdekja e natës,
në forma të lirisë që kapërdihen në heshtje të mbrëmjes, e në forma të qiellta që thyejnë kristale, zhyten në dete të peshkaqenëve të mëdhenj, që dinë derrin ta bëjnë Sokrat dhe Sokratin derr ta bëjnë,
kurse liria është e zhytur përherë në trajta të egra të formës njerëzore, në ëndrra të zverdhta dhe shikim të mangët, si syri qorr që ecën rrëshqanjës, veç vallëzon në trajektore pa skaj,
ecën, flet, hesht dhe pëlcet në rrugën e madhe të pishtarit të djegur, se kush lirinë e kërkon, nëpër udhë dhe nëpër rrugë, ka trubullira të situatës së pistë, që çojnë në heshtje dhe mënxyrë.

Lirinë ta kërkosh me sytë e enjtur që lidhen me penj, si toreadori përballë demit edhe demi që sheh toreadorin, në mes të turmës që lëshohet, edhe flet në pllakosje të heshtjes,
e s’bën ndryshe të fitosh zgjedhjen, edhe malin edhe erën, edhe motin kur ndjen shije të pambarimtë si djegie e gjallë e kockës së prushtë në shtëpinë e përcëlluar nga ligësi,
e në kushte të korbave që vetëm ziejnë, marrin dekorata edhe ndriten, nëpër hone, nëpër forma, nëpër ngjyra gjithë çka lloj, nevojitet veç një dritë që nga këtu deri në qiell,
e një njeri mundet duhet, jo i zakonshëm, por perëndi, të jetë një i këtillë, që forma të ndryshka të lirisë, t’i çojë lart deri në qiell, si ndriçim që verbon sytë, një kurorë e Euriklesë.