Dalëngadalë

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit
Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë
Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,
Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”
Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më zë i ngrenë veshët
Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?

- poezi nga Dritero Agolli


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.7 / Votuan:  59